Një foshnje në ankth nuk prek vetëm emocionet e njeriut, por edhe trupin. Sipas një studimi të ri, të qarat e foshnjave mund t'i bëjnë që njerëzit të nxehen fizikisht, ka raportuar The Guardian.
Studiuesit kanë përdorur kamera termike dhe kanë zbuluar se, kur vullnetarët dëgjuan të qarat e foshnjave përmes transmetimit të incizimeve, ata përjetuan një rritje të shpejtë të sasisë së gjakut në fytyrë, gjë që rriti temperaturën e lëkurës. Ky reagim ishte edhe më i fortë kur foshnjat shfaqnin më shumë dhimbje dhe qanin ne mënyra kaotike.
“Reagimi emocional ndaj të qarave varet nga ‘ashpërsia akustike’ e tyre. Ne jemi emocionalisht të ndjeshëm ndaj parametrave akustikë që tregojnë nivelin e dhimbjes në të qarën e një foshnje”, ka shpjegur profesori Nicolas Mathevon nga Universiteti i Saint-Étienne në Francë.
Kur një foshnje është me të vërtetë në dhimbje, ajo forcon kafazin e kraharorit dhe shtyn ajrin me presion të lartë, duke shkaktuar dridhje kaotike në kordat e zërit. Këto krijojnë “ashpërsi akustike” ose tinguj të çrregullt, të quajtur si “fenomene jolineare” (NLP).
Për të testuar reagimin, shkencëtarët u lëshuan pjesëmarrësve 16 incizime me të qara foshnjash, nga situata të lehta deri te dhimbje më të forta si shpimi i gjilpërës në klinikë vaksinimi. Kamera termike tregoi se burrat dhe gratë reaguan pothuajse njëjtë: të qarat me më shumë NLP u përceptuan si dhimbje e vërtetë dhe shkaktuan ndryshimet më të mëdha në temperaturën e fytyrës.
“Sa më shumë dhimbje të shprehin të qarat, aq më i fortë është reagimi i sistemit tonë nervor autonom, duke treguar se ne e ndiejmë emocionalisht informacionin e dhimbjes që ato përçojnë”, ka shtuar Mathevon.
Profesori ka thënë gjithashtu se askush më parë nuk e kishte matur reagimin e njerëzve ndaj të qarave të foshnjave në këtë mënyrë.
Ky studim pason një tjetër studimi që është bërë në Danimarkë, i cili rrëzon idenë se gratë janë biologjikisht më të predispozuara të zgjohen nga të qarat e foshnjës. Në fakt, burrat kishin po aq gjasa të zgjoheshin, edhe pse nënat shpesh ngriheshin tre herë më shumë për t’u kujdesur.
Sipas profesoreshës Christine Parsons, kjo mund të lidhet me dy arsye: gratë shpesh kalojnë më shumë kohë me foshnjat gjatë pushimit të lindjes, duke mësuar t’i qetësojnë më herët dhe gjatë periudhës së gjidhënies është më logjike që baballarët të flenë ndërsa nënat kujdesen për beben.
“Ky studim është inovativ. Shpesh supozohet se burrat dhe gratë reagojnë ndryshe ndaj të qarave të foshnjës, por autorët nuk gjetën asnjë dëshmi për dallime të tilla. Edhe ne u befasuam se sa pak ndryshim kishte mes burrave dhe grave”, ka thënë Parsons.