Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ AAK-ja zotohet për zhvillim të Lipjanit e subvencionim të bizneseve në Deçan

Nën thirrjet për zhvillim të Komunës së Lipjanit, e punësim të të rinjve, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje qytetarëve të Lipjanit që të votojnë për kandidatin për kryetar nga kjo parti. Derisa Bashkim Ramosaj, i cili synon edhe një mandat në Deçan, ka premtuar subvencionim të ndërmarrjeve të vogla e të mesme

Prishtinë, 3 tetor - Kandidati për kryetar të Komunës së Deçanit nga Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bashkim Ramosaj, ka premtuar subvencionim të ndërmarrjeve të vogla e të mesme. Ramosaj, që është kryetar aktual, gjatë një vizite në disa biznese, ka thënë se do të fokusohet në zhvillimin dhe zgjerimin e kapaciteteve tregtare e prodhuese.

“Ashtu siç e kemi thënë në Programin tonë qeverisës, do të fokusohemi në subvencionimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, në zhvillimin dhe zgjerimin e kapaciteteve tregtare e prodhuese”, ka shkruar Ramosaj në Facebook.

E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vizituar Komunën e Lipjanit, ku edhe ka thënë se është koha që qytetarët e këtij vendi të ecin drejt zhvillimit.

“Tani është koha e zhvillimit, kërkohen njerëz të rinj, njerëz të zotë, Bashkim Budakova dhe kolegët tanë, kandidatë e kandidate për asamblistë, janë njerëz të rinj, janë njerëz të zotë e profesionistë, meritojnë besimin tuaj për zhvillimin e Lipjanit e punësimin e të rinjve”, ka thënë Haradinaj në Lipjan.

Ndërkohë, vëllai i Ramushit, Daut Haradinaj, i cili synon të qeverisë Komunën e Prishtinës, ka thënë se Muzeu Etnologjik i Kosovës meriton trajtim të veçantë. Ai ka thënë se stërzgjatja e restaurimit të këtij objekti e ka rrezikuar shumë, duke rrezikuar edhe të shembet.

“Njëra ndër vlerat më të çmuara historike është edhe Muzeu Etnologjik i Kosovës. Stërzgjatja e restaurimit të këtij objekti e ka rrezikuar shumë, duke rrezikuar edhe të shembet. Ky objekt meriton trajtim të veçantë, pasi gërshetohen historia dhe vlerat tona. I njëjti duhet të kthehet në mundësi për promovim të turizmit”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social.

Haradinaj gjatë së dielës vizitoi edhe Komunën e Deçanit, ku u takua me kandidatin për kryetar të kësaj komune dhe aktivistë të AAK-së. Bashkim Ramosaj ka ndarë disa foto nga takimi i tyre dhe shëtitja në qytetin e Deçanit.

“Kafe çasti me kryetarin e ardhshëm të kryeqytetit z. Daut Haradinaj! Faleminderit për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme Gjeneral!”, ka shkruar Ramosaj.

E Prizreni bashkoi kandidatin për kryetar të kësaj komune nga kjo parti, Lulzim Kabashi, me kandidatin për kryetar të Malishevës, Kastriot Berisha, të cilët thanë se kanë biseduar për ndryshimet pozitive që do i bëjnë në këto komuna. “Me mikun tim të madh, kryetarin e ardhshëm të Prizrenit, Lulzim Kabashi, në këtë të diele të bukur duke biseduar për ndryshimet pozitive të cilat do t’i bëjmë në komunën e Malishevës dhe të Prizrenit. Bashkëpunimi me kryetarët tjerë asnjëherë nuk do të mungojë! Të përkushtuar për rritjen e AAK-së”, ka shkruar Kastriot Berisha, kandidat për kryetar të Malishevës.

E kandidati për kryetar të Komunës së Suharekës, mëngjesin e së dielës e ka nisur me banorët e Shtëpisë së të Moshuarve që gjendet në fshatin Gjinoc.

“Jam i lumtur që Shtëpia e të Moshuarve në Gjinoc tashmë është edhe rehatia e tyre shpirtërore”, ka shkruar kryetari aktual i Suharekës, që synon mandatin e dytë.

Ndërkohë që kandidati për kryetar të Pejës, Rrustem Berisha, ka vizituar banorë të disa lagjeve në këtë qytet, ku edhe ka thënë se do të punojnë së bashku për të përmirësuar dhe avancuar kualitetin e jetës.

“Kisha nderin të takoja banorët e lagjes ‘Xhemajl Kada’ dhe ‘Haxhi Zeka’ të Komunës së Pejës. Së bashku me kryetarin e AAK-së, z. Ramush Haradinaj, e bashkëpunëtorë dhe me kandidatët për Kuvend Komunal të lagjeve ‘Xhemajl Kada’ dhe ‘Haxhi Zeka’ diskutuam për brengat e shqetësimet që ballafaqohen çdo ditë. U zotova se kërkesat e tyre do të jenë pjesë në programin tim qeverisës dhe ju premtova që do të punojmë së bashku për të përmirësuar dhe avancuar kualitetin e jetës së qytetarëve”, ka thënë Berisha.