Ndërtimin e dhjetëra parqeve e pesë shkollave në kryeqytet i ka premtuar kandidati për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia. Prezantimin e programit Vitia e ka bërë në prani të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ky i fundit nuk ka kursyer lëvdatat për kandidatin e VV-së e ish-ministrin e Shëndetësisë. Në fushatën e VV-së ishin angazhuar edhe të tjerë zyrtarë të kabinetit qeveritar
Pas dy javësh, që kur ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet e 17 tetorit, kandidati për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, ka hapur fushatën e tij. Ai ka prezantuar programin e tij qeverisës, duke thënë se të gjitha lagjet në kryeqytet do të jenë të barabarta, me të gjitha gjërat elementare që u duhen. Vitia, po ashtu, ka premtuar ndërtimin e dhjetëra parqeve e ndërtimin e 4 parkingjeve dhe 5 shkollave.
“Brenda mandatit tim do të kemi jo më shumë se 25 nxënës në klasa tona, do të rrisim edhe numrin e mësimdhënësve dhe monitorimit të përzgjedhjes së mësimdhënësve, trajtim të vazhdueshëm për mësimdhënësit dhe punësim i asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta”, ka thënë ai.
Lëvdatat për Arben Vitinë nuk i kurseu kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Përmendi punën që Vitia ka bërë si ministër i Shëndetësisë.
Kurti tha se ilaçi i problemeve në kryeqytet është vetëm Vitia.
“Beni nuk flet shumë, ai dëgjon dhe kryen punë, gjatë qeverisjes sime Arben Vitia ishte thirrja ime e parë në mëngjes dhe e fundit natën vonë”, është shprehur Kurti, duke e ofruar përkrahjen e qeverisë në rast se Vitia arrin të ulet në ulësen e të parit të Prishtinës.
E për punët e kryera, lëvdata i ka thurur vetes kryetari aktual i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
“Kemi tregu që ne nuk keqmenaxhojmë, ne menaxhojmë mirë me paranë publike, dhe ajo para është e qytetarëve dhe duhet të kthehet të ta përmes projekteve”, ka thënë Bulliqi gjatë një takimi me qytetarë të Komunës së Podujevës, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Zotimet për Komunën e Klinës i ka paraqitur kandidati për kryetar të kësaj komune, Lulzim Dragidella, ku ka thënë se bujqësia për ta do të jetë prioritet, duke premtuar edhe ujë 24 orë për qytetarët e Klinës. “Problemi kryesor e esencial i Komunës sonë është mungesa e ujit. Por, me ne do të ketë ujë 24 orë për Klinën. E di që ky premtim është dhënë në të gjitha zgjedhjet lokale qe 22 vite në Klinë, andaj për mua është e vështirë që të premtoj sot, por pasi është problem esencial jemi të obliguar ta përmendim”, është shprehur ai.
Trajtim emergjent për banorët e fshatin Xërxë, të Komunës së Rahovecit, ka premtuar kandidati për kryetar të kësaj komune, Visar Korenica. Ai së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliun, kanë vizituar punimet që po bëhen në këtë fshat për ndërtimin e një projekti, e që sipas Korenicës aty keq është punuar.
“Nënkalimi i cili ka filluar shumë kohë më parë dhe assesi nuk po përfundohet, do të jetë një nga projektet që vetë ministri është i interesuar për t’i përfunduar. Gjatë një bisede me banorët prezentë në Xërxë, ata shprehën pakënaqësi me mosseriozitetin e deritanishëm të qeverisjes komunale me mënyrën si është trajtuar zgjidhja e problemit të këtij nënkalimi. Fëmijët dhe banorët ballafaqohen çdo ditë me rrezik. Ministri edhe këtu është çuditur sa keq është punuar, e ky vend, qytetarët e Xërxës, kanë nevojë për trajtim emergjent të situatës, gjë të cilën edhe do ta bëjmë: ka shkruar në Facebook kandidati për kryetar të Rahovecit, nga Lëvizja Vetëvendosje.
Derisa ministri i Infrastrukturës ishte në Rahovec, zëvendësi i tij, Hysen Durmishi, kishte shkuar në Lipjan. Ai së bashku me kandidatin për kryetar të Lipjanit, Adnan Rrustemin, kanë vizituar banorët e fshatit Çollapek. Rrustemi ka premtuar se banorët e këtij fshati do të trajtohen me prioritet dhe se do të gjejnë zgjidhje për dëmet e shkaktuara nga vërshimet.
“Dëgjuam me vëmendje problemet e këtij fshati, e një prej tyre është problemi që ky fshat ka me vërshimet. Komuna nuk ka bërë as një përpjekje të vetme për të kthyer vëmendjen kah ky fshat, derisa gjendja e tij është e rëndë nga dëmet që këto vërshime kanë lënë pas. Zv. ministri Durmishi u zotua se Qeveria do ta marrë seriozisht këtë shqetësim të fshatarëve të shumtë që u grumbulluan për të shprehur mllefin e tyre ndaj qeverisjes aktuale në Lipjan. Pas 17 tetorit, fshati Çollapek do të trajtohet me prioritet nga qeverisja jonë, sepse interesi ynë kryesor do të jetë mirëqenia e qytetarëve”, ka shkruar Rrustemi në rrjetin e tij social Facebook.