Luftarake

Berishaj, sportistja më e mirë e vitit në Mal të Zi

Andrea Berishaj

Taekwondistja Andrea Berishaj është sportistja më e mirë e vitit 2025 në Malin e Zi.

Vendimin e mori të enjten Këshilli Drejtues i Komitetit Olimpik të Malit të Zi.

Berishaj është shpallur më e mira në një konkurrencë me 14 sportistë e sportiste të tjera.

Është ky sukses shumë i madh për taekwondisten e re shqiptare. 

Berishaj ka fituar medalje të bronztë në Kampionatin Evropian për të rritura. Ndërkohë medalje bronzi fitoi edhe në Botërorin për të reja e po ashtu në Evropianin për të reja. 

Andrea Berishaj është pjesë e një familjeje të suksesshme sportive nga Malësia. Ajo është uruar nga kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj.

“Në emër të Komunës së Tuzit dhe në emrin tim personal, i përcjell urimet më të sinqerta bashkëqytetares sonë, Andrea Berishaj, me rastin e zgjedhjes së saj si sportistja më e mirë e Malit të Zi për vitin 2025, në përzgjedhjen e Komitetit Olimpik të Malit të Zi. Andrea Berishajt i uroj shumë shëndet, suksese sportive dhe medalje të reja në vazhdimin e karrierës së saj”, ka shkruar Gjelaj.