Luftarake

Kuka e Hasanaj fitojnë medalje në Kupën afrikane të kadetëve

Jon Kuka

Jon Kuka, djali i kryemjeshtrit Driton Kuka, ka fituar medalje të bronztë në Kupën afrikane të kadetëve.

Të shtunën në Casablanca të Marokut, Kuka e fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri në 55 kilogramë nëpërmjet repesazhit. Të dy luftërat e repesazhit i fitoi me Ippon. 

Fillimisht e mposhti xhudistin maroken El Mehdi Boudarham, ndërsa në luftën për medalje triumfoi ndaj xhudistit nga Luksemburgu, Ugo Marchiori.

Të shtunën në repesazh në kategorinë deri në 70 kilogramë ishte edhe xhudistja Arba Hasanaj. Edhe Hasanaj u stolis me medalje të bronztë. Fillimisht e mposhti me Ippon marokenen Rokaya Ghadfane, ndërsa në luftën për medalje e mposhti Ivana Bebekun e Bosnjë-Hercegovinës me uazari.

Medalje të argjendtë në Marok fitoi xhudistja nga Shqipëria, Krista Kovaçi. U mposht në finale nga Dalida Elgharbawy, në kategorinë deri 63 kilogramë.

Në garën e organizuar në Casablanca të Marokut morën pjesë 143 garues nga 26 shtete të ndryshme, 98 garues ishin te xhudistët dhe 45 te xhudistet.

Kuka u gëzohet medaljeve në Kupën afrikane të kadetëve

1 j. më parë / 24 jan 2026 19:05
Kuka u gëzohet medaljeve në Kupën afrikane të kadetëve

Kryemjeshtri Driton Kuka i është gëzuar suksesit të arritur të shtunën në Kupën afrikane të kadetëve në Marok. 

E ka përmendur edhe xhudisten Krista Kovaçi nga Shqipëria, që fitoi medalje të argjendtë. 

Jon Kuka, djali i tij, dhe Arba Hasanaj, u stolisën me medalje të bronztë. 

“Për mbrëmje të mirë. Jon Kuka 55 kg, Arba Hasanaj 70 kg, dy medalje për Kosovën. Krista Kovaçi 63 kg, një medalje për Shqipërinë. I gjithë ekipi me trajneren Majlinda në Casablanca të Marokut shënoi nisje të mbarë për këtë vit! Gara e vlefshme për pikë të Ranglistës Botërore për kadetë si dhe kualifikuese për Olimpiadën e të rinjve këtë vit në nëntor në Senegal! Dy fjalë për Kristën! Ajo bashkë me Kasandrën, dy vajza që jetojnë në Pejë tash e dy vite për të realizuar ëndrrat e tyre sportive! Stërviten me klubin tonë dhe kjo medalje tregon që ato tashmë po ndërtohen në sportiste me potencial! Kaq për sonte! Urime medaljet për sportistët tanë. Kosovë-Shqipëri”, ka shkruar Kuka.