Të premten në sallën ku mbahet Kampionati Mesdhetar i karatesë, në Guadalajara të Spanjës, ishin të vendosur flamujt e vendeve pjesëmarrëse, pos atij të Kosovës.
Mesdhetari mbahet të shtunën e të dielën dhe Federata e Karatesë e Kosovës vendosi të marrë pjesë. Pa flamur.
Por pa flamuj do të paraqiten edhe përfaqësueset e vendeve të tjera. Pra trajtimi do të jetë i barabartë.
Ky ishte kushti i Federatës së Karatesë së Kosovës për të garuar. Autoritetet spanjolle kanë kërkuar që karateistët e Kosovës të paraqiten pa simbole. Gjatë së premtes kishte zhvillime të shumta, ndërsa në fund u vendos që të gjitha delegacionet të jenë pa flamuj.
Këtë e kanë bërë të ditur nga Federata kosovare e karatesë.
“U mor vendimi që të hiqen të gjithë flamujt, brenda dhe jashtë sallës. Edhe ne të marrim pjesë në garë si të barabartë, si të gjithë të tjerët. Të gjitha shtetet pjesëmarrëse do të marrin pjesë pa flamuj. Kushti ynë ka qenë që nëse nuk hiqen flamujt e të gjitha shteteve, nuk marrim pjesë”, ka thënë të premten mbrëma për KOHËN, Nazmi Gashi, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Karatesë së Kosovës.

Delegacioni i Kosovës në Guadalajara i numëron plot 56 anëtarë, prej tyre 48 sportistë. Një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë udhëtuar me autobus, e disa madje me mbulim privat të shpenzimeve. Karateistët e kanë pritur rëndë mundësinë që të mbesin jashtë këtij kampionati për arsye politike.
Spanja ka diskriminuar dhe vazhdon të diskriminojë sportistët kosovarë.
Por në fund u arrit kompromisi, që mundësoi edhe paraqitjen e Kosovës.
Në faqen zyrtare të Federatës njoftimi është i shkurtër dhe gjithëpërfshirës.
“Kosova merr pjesë në Kampionatin Mesdhetar në Guadalajara – Spanjë. Në këtë Mesdhetar marrin pjesë 16 shtete me 582 garues. Kosova merr pjesë me 48 garues në garat individuale dhe ekipore”, shkruan FKK-ja.
Federata ka kërkuar nga sportistët të mos flasin për telashet lidhur me prezantim. Por me situatë të tillë, karateistët janë përballuar edhe në të kaluarën në Spanjë.
Qëndrimi i Spanjës bëhet i qartë në një postim të Federatës së Karatesë së këtij vendi.
“Shënim: Paraqitja e sportistëve nga Kosova* nuk nënkupton njohje të territorit të Kosovës*”, shkruan në faqen zyrtare të Federatës spanjolle, ku është paraqitur linku për garat e Kampionatit Mesdhetar.
Këtë javë edhe Federata e Futbollit e Spanjës bëri prezantim diskriminues ndaj Kosovës. Për një ndeshje të përfaqësueseve U21, Spanja nuk e përmendi Kosovën me emër zyrtar. Fillimisht e shkroi “Territori i Kosovës” e më pas “Federata e Kosovës”. Dhe askund nuk e shkroi “Kosova”.
Diskriminimi, përkatësisht tentim-diskriminimi, shpresohet se do të motivojë karateistët kosovarë për paraqitje sa më të mira në Spanjë.