Boks

Krasniqi kthehet të shtunën në ring, premton meç emocional

Haxhi Krasniqi vs Jorge Silva

Jorge Silva - Haxhi Krasniqi

Nëntë muaj pas meçit të fundit, boksieri kosovar Robin (Haxhi) Krasniqi ngjitet sërish në ring. Në “Neue Sporthalle” të Augsburgut në Gjermani, Krasniqi do të boksojë me portugezin Jorge Silva.

Meçi i takon kategorisë gjysmë të rëndë. Planifikohet të zhvillohet në dhjetë raunde, ndërsa nuk është për ndonjë titull apo kualifikues për ndonjë titull.

Por për Krasniqin meçi ka peshë jo të vogël. Ndër të tjera për të përmirësuar përshtypjet pas fitores shumë të diskutueshme ndaj Nadjib Mohammedit në Prishtinë, më 5 gusht të vitit të kaluar. Ajo fitore nuk është se i ka shërbyer karrierës së suksesshme të 37-vjeçarit. Vendimi i gjyqtarëve për t’ia dhënë fitoren Krasniqit ishte vlerësuar i padrejtë nga jo pak njerëz. E gjithë ajo mbrëmje e boksit ishte përcjell me kundërthënie, ndërsa kulmi ishte fitorja e Krasniqit, ish-kampionit të botës e Evropës në boksin profesionist.

Pas pushimit të gjatë, Krasniqi ka vendosur të boksojë sërish. Ai ka paralajmëruar edhe pak meçe të tjera para fundit të karrierës. Deri më tani ka bilanc prej 53 fitoreve e shtatë humbjeve. Pra i ka plot 60 meçe në boksin profesionist, që është shifër e lartë. 20 prej fitoreve i ka me ndërprerje.

Mbrëmjen në Augsburg e organizon kampi i Haxhi Krasniqit. Në palestër shumica e shikuesve pritet të jenë shqiptarë. Këtë e di edhe vetë boksieri.

“Ju falënderoj për mbështetjen. I kam edhe disa ndeshje, nuk ka mbetur shumë në karrierën time. Shpresoj që edhe emocionet e ndeshjeve të fundit t’i merrni me vete. Ju falënderoj që gjithë karrierën më keni mbështetur. Ju pres në Augsburg, premtoj që emocionet do të mbeten një kujtim i gjatë. Shpresoj në mbështetjen tuaj dhe që këtë ta shpërblejë me një fitore për të gjithë”, ka thënë Krasniqi në një videomesazh.

Ai vlerësohet favorit përballë portugezit 40-vjeçar Jorge Silva. Silva i ka 22 fitore e nëntë humbje në karrierë. 12 prej fitoreve i ka me ndërprerje, njëjtë si katër prej humbjeve.

Së fundi Silva ka boksuar më 23 shtator të vitit të kaluar. Kishte pësuar në “Wembley” nga Anthony Yarde. Silva kryesisht ka boksuar në Portugali, por asnjëherë për ndonjë titull të rëndësishëm.

Në Augsburg të shtunën mbrëma do të boksojnë edhe shqiptarë të tjerë si Granit Stein (Bylygbashi), Isuf Kelmendi, Kushtrim Tahirukaj e Atdhe Delijaj. Gjithsej janë nëntë meçe.