Kosova pati të tjera telashe politike në Guadalajara të Spanjës, ku u mbajt Kampionati Mesdhetar i karatesë.
Fillimisht u lejua të marrë pjesë, por vetëm pa simbole. Pas shumë diskutimesh, u vendos që të gjitha shtetet pjesëmarrëse të paraqiten pa flamuj, sipas Federatës kosovare.
Në Mesdhetarin, ku emri i Kosovës nga Federata Spanjolle e Karatesë në sajtin e saj zyrtar u paraqit me fusnotë, u arritën suksese. Kosova i fitoi disa medalje, kryesisht te kategoritë e reja, të shtunën, ndërsa të tjera u fituan të dielën.
Në transmetimin zyrtar të kampionatit në “Youtube”, gjithë karateistët janë prezantuar edhe me shtetin prej nga vijnë. Por karateistët e Kosovës janë prezantuar vetëm me emër e mbiemër.
Te seniorët me medalje të argjendtë të dielën u stolis Betim Maliqi në kategorinë deri 75 kilogramë. Diellza Sejdijaj e fitoi një tjetër të argjendtë në kategorinë mbi 68 kilogramë. Me të bronztën në këtë kategori mbeti Fortesa Orana.
Karateistët seniorë u paraqitën edhe në gara ekipore. Ekipi 2 i Kosovës te karateistet zuri vend të pestë, kurse Kosova te karateistët u rendit e shtata.
Dukshëm më shumë suksese u arritën te kadetët e juniorët të shtunën.
Lanika Rexhepi, Prijam Gashi, Aid Curri, Korab Gashi e Suela Arifi fituan medalje të arta.
Të argjendta fituan Rion Bahtiri dhe Blerand Osmani, ndërsa me medalje të bronzta nga Guadalajara e Spanjës kthehen Lijana Iseni dhe Dea Hasanaj.
Kadetët e juniorët e Kosovës fituan edhe medalje të artë dhe të bronztë në gara ekipore.
E arta u fitua nga ekipi i kadetëve i përbërë nga Prijam Gashi, Almir Pollomi, Anuar Krasniqi dhe Rion Bahtiri. E bronzta u fitua nga ekipi i junioreve që në përbërje kishte Suela Halimin, Lijana Isenin, Suela Arifin dhe Alina Kurtin.
Kosova në Spanjë mori pjesë me 48 sportistë, ndërsa delegacioni i Kosovës numëronte plot 56 anëtarë.
Në Mesdhetar, pjesëmarrëse ishin 16 shtete me 582 garues.
Kosova edhe në të kaluarën është ballafaquar me telashe në Spanjë. Këtë javë madje Federata e Futbollit e Spanjës bëri prezantim diskriminues ndaj Kosovës. Për një ndeshje të përfaqësueseve U21, Spanja nuk e përmendi Kosovën me emër zyrtar. Fillimisht e shkroi “Territori i Kosovës” e më pas “Federata e Kosovës”. Dhe askund nuk e shkroi “Kosova”.