Luftarake

Nderohet figura e Nazif Gashit

Nazif Gashi

Familjarë, miq dhe kontribuues të sportit kanë nderuar figurën e Nazif Gashit.

Mbledhja përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së ish-boksierit, Nazif Gashi, i cili vdiq të mërkurën, u organizua nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

Në emër të familjes foli vajza e Nazifit, Fitore Gashi Merovci.

Për figurën e Nazif Gashit kanë folur edhe personalitete të ndryshme të sportit.

Gashi ka pasur karrierë të pasur si boksier. Ishte pjesë e gjeneratës së artë të Prishtinës që për shumë vjet dominoi në shtetin e dikurshëm federativ.

Në vitet shtatëdhjeta dhe tetëdhjeta të shekullit të kaluar, Gashi dhe boksierët e tjerë të Prishtinës kishin bërë krenarë gjithë Kosovën me paraqitjet e tyre.

I lindur më 1 tetor të vitit 1951, Nazif Gashi u bashkua me ekipin e parë të Prishtinës në vitin 1971.

Prej fitoreve më të famshme të tij ishte ajo e vitit 1974 në Beograd ndaj kampionit të atëhershëm të Evropës, Marjan Beneshit. E kishte mposhtur në kuadër të turneut “Doreza e Artë”.

Gjatë karrierës ka mposhtur edhe boksierë të tjerë të njohur në ish-Jugosllavi.

Në periudha të ndryshme ishte pjesë e Federatës së Boksit të Kosovës. Ishte edhe trajner i boksit e selektor, ndërsa për shumë vjet ishte i përfshirë në bodibilding e fitnes.

Gashi për katër vjet ishte edhe në reprezentacionin e shtetit të atëhershëm federativ, Jugosllavisë. Reprezentacionit iu bashkua në vitin 1972, pas paraqitjeve të mira te Prishtina.