Një “skenë” e tillë u pa në Paris në verën e kaluar, e po ashtu të hënën në Budapest të Hungarisë. Këshillat nga dy anë kontribuuan në tjetër medalje për xhudon kosovare nga Kampionatet Botërore.
Skena nuk ishte asgjë e re. Medalja botërore po ashtu.
Janë plot dhjetë medalje që tashmë i kanë fituar nxënësit e kryemjeshtrit Driton Kuka në Kampionatet Botërore për të rritur. Botërori është ngjarja kryesore e vitit në xhudo, kur nuk ka Lojëra Olimpike.
Është shifër që e bën krenar njërin prej trajnerëve më të mirë të xhudos në botë. Dhjetë medalje në Kampionate Botërore, trajneri Kuka, i njohur si Toni, as që i kishte ëndërruar në fillim të karrierës. Por tani mund të mburret që pos pesë medaljeve olimpike, tri prej tyre të arta, dhjetëra medaljeve në Kampionate Evropiane dhe qindra medaljeve në gara të tjera të xhudos, nxënësit e tij i kanë fituar edhe plot dhjetë medalje në Kampionatet Botërore për të rritur. Kjo shifër është meritë e trajnerit Kuka dhe nxënësve të tij. Sikur të ishin të fituara vetëm nga një xhudist, do të ishin meritë e garuesit dhe e trajnerit. Por pasi bëhet fjalë për pesë xhudiste të ndryshme, atëherë janë meritë e trajnerit dhe garueseve.

Medalja e parë botërore u fitua në Rio de Janeiro të Brazilit që në vitin 2013. Ishte pikërisht Majlinda Kelmendi, tani asistente e kryemjeshtrit Kuka, që fitoi të artën në kategorinë deri 52 kilogramë. Majlinda kishte garuar më 27 gusht 2013 dhe në finale e mposhti brazilianen Erika Miranda. Me Mirandan u përball edhe të hënën, këtë herë si trajnere. Braziliania e famshme ishte trajnere e Nauana Silvas, të cilën Laura e mposhti për medalje të bronztë botërore në kategorinë deri 63 kilogramë.
Majlinda e fitoi të artën botërore edhe në vitin 2014. Ai Botëror ishte mbajtur në Chelyabinsk të Rusisë, në “Traktor Arena”. Ikona e xhudos, Kelmendi, kishte garuar më 26 gusht 2014. Ishte e pakonkurrencë, ndërsa në finale e mposht rumunen e papërshtatshme, Andreea Chitu, dikur rivale e madhe e saj.
Më pas Majlinda kishte sfida serioze për shkak të lëndimeve, ndërsa Nora Gjakovës i mungoi disa herë fati për të zënë vend në podiumin e Botërorit. Xhudistet e tjera nuk ishin ende në nivelin për të synuar medalje nga Kampionati Botëror.
Vetëm në vitin 2019, u fituan medaljet e tjera për Kosovën në Kampionat Botëror. Ngjarja globale në vitin 2019 u mbajt në Tokio të Japonisë, në vendlindjen e xhudos. Dhe Kosova i fitoi plot tri medalje.
Majlinda fitoi të bronztë në kategorinë e saj – 52 kilogramë. U mposht në gjysmëfinale nga japonezja Uta Abe, ndërsa për vend të tretë e mposhti portugezen Joana Ramos.
Për herë të parë podiumin e Botërorit e provuan edhe Distria Krasniqi dhe Loriana Kuka. Distria fitoi të bronztën në kategorinë deri 48 kilogramë, ndërsa Loriana në kategorinë deri 78 kilogramë. Për Loriana Kukën, tashmë të tërhequr nga xhudoja, ajo mbetet medalja e vetme botërore. Ndërkohë Distria po vazhdon të sjellë medalje me vlerë të madhe.
Në vitin 2021, Kampionati Botëror u mbajt në Budapest, njëjtë si këtë vit. Dhe Nora Gjakova e fitoi të bronztën në kategorinë deri 57 kilogramë.
Botërori 2022 u mbajt në Tashkent të Uzbekistanit. Xhudistet kosovare lanë shenjën e tyre edhe atje. Ishte Distria Krasniqi që u kthye me medalje bronzi, të cilën e fitoi në kategorinë deri 52 kilogramë.
Në Botërorin 2023 në Doha të Katarit, medaljes iu afruan Distria Krasniqi, Nora Gjakova e Laura Fazliu. Por nuk u stolis asnjëra.
Vjet në Botërorin në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, Laura Fazliu fitoi të bronztën në kategorinë deri 63 kilogramë, sukses të cilin e përsëriti edhe këtë vit.
Botërori 2025 po mbahet sërish në Budapest të Hungarisë. Për Kosovën ka përfunduar gara. Të shtunën Distria Krasniqi e fitoi të argjendtën në kategorinë deri 52 kilogramë. U mposht në finale nga japonezja Abe. Të hënën garoi Laura Fazliu, që fitoi medaljen e dhjetë për Kosovën në Kampionate Botërore. Laura është kthyer nga një lëndimi që e mbajti jashtë garave për tre muaj. Ndonëse jo në formën më të mirë dhe jo me energjinë dhe forcën e zakonshme, Laura ia doli të renditet e treta. Madje kishte dy hedhje të shkëlqyera dhe një mbërthim për libra të xhudos.
Hedhjet dhe mbërthimet i mëson në stërvitje me trajnerin Kuka dhe asistentët e tij, Majlinda Kelmendi e Fatos Tabaku.
“Në fillim të karrierës medalja botërore ka qenë diçka që dukej e paarritshme. Jemi krenuar me boksin dhe medaljet që i fitonin boksierët në kampionate. Pasi nisëm të fitojmë medalje për grupmosha, si trajner kam ëndërruar ndonjë medalje elitare evropiane. Por për medalje botërore dhe olimpike ishte e vështirë edhe të mendoja”, ka thënë Kuka të martën për KOHËN.
Ai ka kujtuar gjitha medaljet, duke nisur nga dy të artat e Majlindës, tri të bronztat në Tokio dhe të tjerat.
“Tani janë plot dhjetë. Natyrisht, bëhet fjalë vetëm për Kampionate Botërore për të rritur. Është shifër që më bën të ndihem mirë, që më bën krenar për punën dhe për nxënësit e mi. Shpesh më duket që po ëndërroj, por ky është një realitet i ëmbël i punës sime si trajner”, ka shtuar kryemjeshtri Kuka.
Deri vonë Kampionatet Botërore të xhudos nuk janë mbajtur në vitet kur kishte Lojëra Olimpike. Për këtë arsye nuk kishte Botëror në vitin 2016 e 2020. Xhudistët kosovarë shpesh janë përballur edhe me lëndime para Kampionateve Botërore. Për sërish kanë grumbulluar medalje, që tani janë plot dhjetë. Është një shifër e lakmuar edhe për vende me sport dukshëm më të zhvilluar.
Në të gjitha sportet e tjera olimpike, Kosova pas luftës së fundit e ka vetëm një medalje nga Kampionatet Botërore. Bëhet fjalë për një medalje bronzi të boksieres Donjeta Sadiku. Kjo, ndër të tjera, dëshmon për sukseset kulmore të xhudistëve për vendin.
Rio 2013: Majlinda Kelmendi - e artë (52 kilogramë)
Chelyabinsk 2014: Majlinda Kelmendi – e artë (52 kg)
Tokio 2019: Distria Krasniqi – e bronztë (48 kilogramë)
Majlinda Kelmendi – e bronztë (52 kilogramë)
Loriana Kuka – e bronztë (78 kilogramë)
Budapest 2021: Nora Gjakova – e bronztë (57 kilogramë)
Tashkent 2022: Distria Krasniqi – e bronztë (52 kilogramë)
Abu Dabi 2024: Laura Fazliu – e bronztë (63 kilogramë)
Budapest 2025: Distria Krasniqi – e argjendtë (52 kilogramë)
Laura Fazliu – e bronztë (63 kilogramë)
Majlinda Kelmendi: dy të arta, një e bronztë
Distria Krasniqi: një e argjendtë, dy të bronzta
Laura Fazliu: dy të bronzta
Loriana Kuka: një e bronztë
Nora Gjakova: një e bronztë