Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Luftarake

Ronda Rousey kthehet në kafaz me fitore prej 15 sekondave

Ronda Rousey

Luftëtarja Ronda Rousey i ktheu vitet prapa teksa e rrëzoi Gina Caranon dhe e detyroi të dorëzohej pas vetëm 15 sekondave luftë, pas një zgjatjeje mjeshtërore të krahut të kundërshtares.

39-vjeçarja Rousey nuk tregoi shenja të mungesës 10-vjeçare në MMA, ndërsa siguroi fitore të llojit që e bënë një nga yjet më të mëdha të sportit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ishte fitorja e 13-të e ish-kampiones së kategorisë bantam në UFC. Ajo i ka 15 luftëra, ndërsa dhjetë prej fitoreve erdhën përmes shtrirjes së papërballueshme të krahut të kundërshtares.

Në përgatitje të ngjarjes, Rousey tha se dëshironte “të rishkruante fundin e saj në sport”. Dhe ajo nuk ka mundur të imagjinojë një luftë finale më të mirë se kundër luftëtares të cilën e quajti “hero”.

“Gina më solli në MMA dhe është e vetmja që mund të më kthente në MMA. Është heroina ime”, ka thënë Rouse.

“Ajo më solli në shtëpi kur askush tjetër nuk mundi dhe më tregoi se ku ishte shtëpia ime. Ti më ndryshove botë dhe ne e ndryshuam botën. Nuk do të jem kurrë në gjendje të ta shpërblej mjaftueshëm”, i është drejtuar Rousey kundërshtares.

Rousey tha se ngjarja në Los Angeles, që u organizua nga “Most Valuable Promotions” (MVP) dhe që ishte shfaqja e parë e MMA e transmetuar në Netflix, ishte e fundit për të. Amerikania e famshme e përjashtoi mundësinë që të shfaqet sërish në kafaz.

Rousey është pioniere dhe një nga yjet më të mëdhenj të MMA-së (Artet Marciale të Përziera) në të gjitha kohërat. U bë gruaja e parë që nënshkroi kontratë me UFC-në në vitin 2012. Kishte seri dominuese në kategorinë bantam. E kishte mbrojtur titullin gjashtë herë.

Por karriera e saj përfundoi me zhgënjim pas humbjeve nga Holly Holm dhe Amanda Nunes, përpara se të tërhiqej në vitin 2016.

Gina Carano, tani 44-vjeçare, hapi dyert e MMA për gra. U bë gruaja e parë që ishte kryesorja në një ngjarje të madhe, së bashku me Cris Cyborg, në vitin 2009. Ajo tha se lufta “ia shpëtoi jetën”, pasi u përball me telashe të shëndetit fizik dhe mendor. Me Caranon që ishte 17 vjet larg sportit, kritikët vunë në dyshim se sa garuese do të ishte lufta. Derisa për Caranon skepticizmi mund të ishte i justifikuar, Rousey shfrytëzoi momentin.

Carano, që pësoi humbjen e dytë në karrierën me nëntë meçe, u ngrit menjëherë në këmbë duke qeshur, përpara se dy luftëtaret të përqafoheshin emocionalisht.