Luftarake

Tjetër e arritur, Nora Gjakova në Komisionin e Sportistëve të Federatës Ndërkombëtare

Nora Gjakova

Një tjetër sukses e ka arritur xhudoja kosovare të premten. Këtë herë jashtë tatamit.

Kampionia olimpike, Nora Gjakova, është përzgjedhur në Komisionin e Sportistëve të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF). Gjakova është bërë anëtare e Komisionit të Sportistëve të IJF-së me propozim të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.

Mandati i saj ka nisur të enjten, ndërsa është i vlefshëm katër vjet.

Përzgjedhja e Nora Gjakovës në komisionin e rëndësishëm është konfirmuar përmes një letre që presidenti i IJF-së, Marius Vizer, ia ka dërguar Federatës Kosovare të Xhudos, përkatësisht Nora Gjakovës.

“Komisioni i Sportistëve të IJF-së luan rol shumë të rëndësishëm në organizatën tonë, duke ndihmuar në formësimin e xhudos dhe duke siguruar që zëri i sportistëve të dëgjohet. Derisa e vazhdojmë misionin tonë për zhvillim dhe promovim të sportit tonë në të gjithë botën, për të mirën e të gjithë xhudistëve dhe adhuruesve të sportit të xhudos, jam i sigurt që përvoja juaj dhe perspektiva si sportist do të jetë shumë e çmueshme”, shkruan në letrën e presidentit Vizer, mikut të madh të Kosovës.

Vizer ka shkruar se Nora Gjakova është përfaqësuese e denjë e xhudistëve. Vizer ditë më parë fitoi mandat të ri në krye të IJF-së.

“Me njohjet tuaja të thella për sportin, përkushtimin dhe me dedikimin tuaj të pakrahasueshëm, ju do të jeni në gjendje të kontribuoni pozitivisht në projektet dhe iniciativat e IJF-së”, shkruan tutje në letrën e Vizerit për Nora Gjakovën. 

Ky vendim dëshmon edhe një herë për imazhin që ka xhudoja kosovare në botën e këtij sporti dhe për respektin e presidentit Vizer dhe Komitetit Ekzekutiv të IJF-së ndaj xhudistëve kosovarë.

Nora Gjakova është kampione olimpike nga Tokio 2020. E fitoi të artën në kategorinë deri në 57 kilogramë. Ka edhe medalje të bronztë botërore, shtatë medalje nga Kampionatet Evropiane, duke përfshirë të artën dhe shumë medalje nga garat Masters, Grand Slam, Grand Prix dhe garat e tjera të xhudos.

Së fundi fitoi medalje të bronztë në Grand Slamin e Parisit në fillim të muajit shkurt. Më nuk ka garuar dhe nuk pritet të garojë.

Tani ajo do të ketë rol të rëndësishëm në prezantimin e sportistëve në Federatën Ndërkombëtare të Xhudos.

Me përzgjedhjen e Norës, prezantimi i Federatës Kosovare në nivelin ndërkombëtar të xhudos forcohet ndjeshëm. Kryetari i FXHK-së, Agron Kuka, është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Unionit Evropian të Xhudos.

Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, është anëtar i Komisionit të Trajnerëve të Unionit Evropian.

Kryemjeshtri Kuka, po ashtu, është pjesë e një grupi elitar ekspertësh, të përzgjedhur nga presidenti Marius Vizer, që diskuton dhe modifikon rregullat e xhudos në fillim të çdo cikli olimpik.