Në fotografinë e bërë pas pranimit të medaljeve për suksesin në kategorinë deri 52 kilogramë, Distria Krasniqi ka qeshur më pak se tri xhudistet tjera në podium. Qartë se ajo ka kërkuar medaljen e artë në Kampionatin Botëror që po mbahet në Budapest të Hungarisë. E arta edhe këtë herë i takoi legjendës nga Japonia, Uta Abe, ndërsa xhudistja kosovare e fitoi medaljen e argjendtë. Dy të bronztat u fituan nga Roza Gyertyas e Hungarisë dhe Mascha Ballhaus e Gjermanisë.
Megjithatë medalja e argjendtë botërore mbetet sukses shumë i madh për Distria Krasniqin, trajnerin Driton Kuka dhe gjithë ekipin e Kosovës në xhudo.
Për shkak të nivelit superior që kanë arritur xhudistët, në ekipin e Kosovës në xhudo herë pas here kanë ndjenjën sikur medaljet prej tyre i marrin të garantuara në Kosovë. Në fakt nuk është kështu. Për të fituar medalje në Kampionatin Botëror duhet shumë, shumë punë, shumë, shumë mund, e natyrisht të shfaqësh xhudo të nivelit më të lartë botëror. Ka kohë që këtë e shfaqin xhudistët e Kosovës, por vetëm falë punës së jashtëzakonshme që e bëjnë me kryemjeshtrin Kuka.
Sa për ilustrim, në dy ditët e para të Botërorit, të premten e të shtunën, janë ndarë vetëm katër medalje të arta. Tri prej tyre i kanë fituar japonezët e një përfundoi në Itali. Në dy ditët e para të Kampionatit Botëror, medalje të argjendta kanë fituar vetëm edhe Franca, Kosova, Taxhikistani dhe Kazakistani – nga një.
Se Kosova ka top-ekip të xhudos, kjo është konfirmuar e rikonfirmuar shumë herë. Por secila medalje në ngjarjet e mëdha fitohet me shumë djersë e shumë punë.
E argjendta e Distria Krasniqit, e fituar të shtunën, është me vlerë shumë të madhe edhe për arsye të tjera. Ajo për herë të parë është paraqitur në finale të Kampionatit Botëror. Dhe ka dëshmuar se aty e ka vendin. Nga legjenda japoneze Abe është mposhtur për herë të katërt, por për tre minuta këtë herë e kontrolloi luftën. Vetëm në minutën e fundit, Abe shfrytëzoi një moment pakujdesie të kosovares dhe realizoi hedhje të bukur për Ippon.
Abe i ka vetëm tri humbje, krahas mbi 100 fitoreve, në karrierën impresive. Por me secilën luftë që po e zhvillojnë, Distria po është më afër nivelit të saj.
Distria ishte përgatitur që të luftonte ndaj Abes edhe në finale të Lojërave Olimpike “Parisi 2024”. Por Diyora Kelidyorova kishte arritur në finale duke shokuar herët Aben dhe më pas edhe e fitoi të artën. E argjendta olimpike i takoi xhudistes pejane.
“Ishte vështirë pasi isha përgatitur tri vjet për atë luftë (ndaj Abes). Tani i bëra disa gjëra që i kisha planifikuar për Paris dhe shkoi mirë deri në luftën finale. Nuk jam e lumtur që kam humbur, por jam e lumtur që jam paraqitur aq mirë”, ka thënë Krasniqi.

Ajo vazhdon të mësojë dhe të bëjë gjëra të reja. Thotë se duhet të bëhen ndryshime për secilën garë për të pasur sukses.
“Ndoshta nuk duket kështu kur e shikon luftën, por unë i ndryshoj detajet e vogla që vështirë shihen”, ka shtuar xhudistja që ka medalje të artë olimpike nga Tokio 2020, e që është medalja më e vlefshme e mundshme në sport.
Distria tani i ka tri medalje botërore, ndërsa ka edhe shumë medalje evropiane, duke përfshirë të arta. Të fundit e fitoi javë më parë në Podgoricë.
Sajti zyrtar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos shkroi se në finale të kategorisë deri 52 kilogramë u takuan “dy gjigante të xhudos”. Deri në finale Distria nuk kishte telashe, duke i fituar katër luftëra. IJF ka shkruar se tre minutat e parë ishin të hapur dhe se secila xhudiste ka mundur të realizoi hedhje.
Abe ka pranuar se lufta ndaj Distria Krasniqit ishte e vështirë.
“Kundërshtarja ishte e fortë dhe kam menduar se si të luftoj. Por më vjen mirë që isha në gjendje ta përfundoja në mënyrë të bukur”, ka thënë Abe.
Pak para se të vendosej lufta, Krasniqit iu dha dënimi i dytë. Ai dënim i dha kahe luftës, thotë trajneri Kuka. Sipas kryemjeshtrit, mënyra se si luftoi Distria të shtunën ndaj japonezes, është e duhura.
“Abe është një ndër më të mirat e të gjitha kohërave dhe gabimin e shfrytëzoj. Vendimi i gjyqtarit sikur e dekoncentrojë Disin”, ka thënë Kuka për KOHËN.
Ai po përballet me sfidë goxha serioze – ndërrimin e gjeneratës. Pas Majlinda Kelmendit, karrierën e kanë përfunduar edhe Nora Gjakova e Loriana Kuka, po ashtu top-xhudiste. Xhudistë të rinj po dalin e ndonjë po tërhiqet rrugës, duke mos ia dalë të plotësojet kërkesat shumë të mëdha të kryemjeshtrit. Por ekipi i Kukës vazhdon të fitojë medalje në çdo ngjarje të madhe.
Kuka pranon se herë pas here ka ndjenjën që sukseset e xhudistëve nuk vlerësohen drejtë në Kosovë.
“Në Kosovë ka shumë gara në sporte joolimpike dhe promovohen lloj-lloj rezultatesh. Dhe ndoshta për këtë po krijohet një përshtypje e gabuar. Në sportet olimpike, Kosova në gjithë historinë e saj nga Kampionatet Botërore i ka vetëm nëntë medalje në xhudo dhe tri në boks. Pas luftës, është fituar vetëm një medalje botërore në boks e nëntë në xhudo, në sportet olimpike. Patjetër që duhet vetëdijësim në këtë drejtim”, ka thënë Kuka.
Kosova tashmë i ka medaljet nga dy ngjarjet kryesore të vitit në xhudo. Rrjedhimisht është një tjetër vit i suksesshëm për xhudon kosovare, pas atij ku u fituan dy medalje olimpike.