Luftarake

Xhoxhaj mposht Alievin, mbron titullin e Evropës në kategorinë e rëndë

Labinot Xhoxhaj me titullin EBU dhe WBC International Silver

Foto: Universum Boxing

Boksieri kosovar i kategorisë së rëndë Labinot Xhoxhaj e ka mbrojtur titullin e Evropës (EBU) në boksin profesionist. 

Xhoxhaj të shtunën mbrëma në Hamburg të Gjermanisë mposhti me vendim unanim boksierin francez Mourad Aliev.  Gjyqtarët poentues e vlerësuan luftën (115:113, 114:113 dhe 115:112) në favor të Xhoxhajt. 

Për Xhoxhajn 32-vjeçar ishte fitorja e 21-të në boksin profesionist, karshi një barazimi. 16 nga fitoret i ka me nokaut. Aliev ka pësuar humbjen e parë pas 13 fitoreve rresht. 

Për Xhoxhajn ishte mbrojtja e parë e titullit të Evropës. Titullin e fitoi në nëntorin e vitit të kaluar, kur e mposhti me vendim unanim ukrainasin Oleksandr Zakhozhyi. 

Pos që e mbrojti titullin e Evropës, Xhoxhaj të shtunën e fitoi edhe titullin WBC International Silver. 

“Pas 12 rundeve të forta, qëndroj i pamposhtur ne versionin EBU dhe tani jam kampioni i ri në WBC Silver! Kjo nuk është vetëm fitorja ime – kjo është fitorja e gjithë atyre që besuan në mua që nga dita e parë. Faleminderit familjes time, që më ka qëndruar pranë në çdo hap – në ditët e vështira dhe në momentet më të bukura. Faleminderit stafit tim, trajnerëve, ekipit tim të ngushtë që punuan ditë e natë për këtë moment. Një falënderim i madh shkon për sponsorët që më mbështetën dhe besuan në rrugëtimin tim. Për bashkatdhetarët kudo në botë – ndjeva zemrat tuaja në çdo sekondë të kësaj lufte! Dhe mbi të gjitha, për kombin tim shqiptar – kjo fitore bart me vete krenarinë, fuqinë dhe shpirtin e gjithë një populli që nuk dorëzohet kurrë!  Faleminderit nga zemra për gjithçka. Bashkë kemi shumë për të arritur. Ky është vetëm fillimi” – ka shkruar Xhoxhaj në Facebook.