NËPËR FILM

Parashikimet për kategoritë kryesore të ceremonisë “Oscar 2024”

Me të ftuarin e radhës në emisionin “Nëpër Film”, Kushtrim Krasniqi, bashkëthemelues i faqes “Maniakë t'filmave”, diskutuam për fituesit potencial të edicionit të sivjetmë të ceremonisë prestigjioze “Oscar”.

Filmi “Oppenheimer” konsiderohet favorit për çmimin kryesor, kurse gara për regjinë më të mirë zhvillohet mes regjisorëve, Christopher Nolan dhe Martin Scorsese.

Në një moment të caktuar, pati ndryshim në narrativën në dukje të pashmangshme se, Cillian Murphy mund të shpallje aktori më i mirë protagonist, kjo pasi filmi i tij “Oppenheimer” rrëmbeu vëmendjen e pothuajse çdo votuesi në fillim të garës, por dalëngadalë në mesin e favoritëve u fut edhe aktori, Paul Giamatti, për rolin në filmin “The Holdovers”. Duke vazhduar me traditën, kategoria “Aktorja më e mirë” është ndoshta gara më interesante e vitit – falë pretendentëve atipikë që konkurrojnë për çmimin kryesor. Ajo këtë vit zhvillohet mes yjeve, Annette Bening me filmin “Nyad”, Lily Gladstone me “Killers of the Flower Moon”, Sandra Hüller me “Anatomy of a Fall”, Carey Mulligan me “Maestro” dhe Emma Stone me filmin “Poor Things”.

Parashikimet për kategorinë “Skenari më u mirë origjinal” e favorizojnë filmin, “Anatomy of a Fall”, krahas atyre “The Holdovers”, “Maestro”, “May December” dhe “Past Lives”. Në kategorinë “Skenari më i mirë i adaptuar”, besohet se do të triumfojë filmi, “American Fiction”, edhe pse është në garë të ngushtë me projekte të mëdha si, “Barbie”, “Oppenheimer”, “Poor Things” dhe “The Zone of Interest”. Për kategorinë ku në të kaluarën ka synuar të nominohet dhe Kosova, atë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”, sivjet garojnë filmat: “Io Capitano” nga Italia, “Perfect Days” nga Japonia, “Society of the Snow” nga Spanja, “The Teachers’ Lounge” nga Gjermania dhe “The Zone of Interest” nga Britania e Madhe. Sipas listës së portalit “Entertainment Weekly”, ky i fundit vlerësohet si favorit për të marrë trofeun e artë. “20 Days in Mariupol” parashikohet se do ta fitojë çmimin “Dokumentari më i mirë”, kurse “Spider-Man: Across the Spider-Verse” besohet se triumfon në kategorinë “Filmi më i mirë i animuar”. Favoritja kryesore për kategorinë “Kënga më e mirë origjinale” vlerësohet pop-ylli amerikan, Billie Eilish, me “What Was I Made For?”, kolonë zanore e filmit hit në arkat filmike, “Barbie”.