Një politikane që ka gëzuar privilegje. Ajo i do përsëri privilegjet. Tani nën maskën e LDK-së.
Në romanin e famshëm të George Orwell-it, Ferma e Kafshëve, revolucioni fillon me idealizëm. Kafshët ngrihen kundër pronarit të tyre, z. Jones, sepse ai i shtyp dhe i shfrytëzon. Ai dhe lakejt përreth jetojnë në luks, kafshët punojnë dhe vuajnë. Revolucioni udhëhiqet nga derrat, nga Napoleoni, i cili udhëheq me idealet e barazisë, drejtësisë dhe çlirimit. Ai premton të ndërtojë një fermë më të drejtë, pa privilegje dhe pa shtypës. Kur pushteti përmbyset, derrat, si më të mençurit e kafshëve, gradualisht marrin kontrollin, krijojnë privilegje dhe bëhen po aq shtypës sa njerëzit që kishin përmbysur.
Shkrimtari anglez përdor Revolucionin Rus si alegori për të shpjeguar se si, kur idealet e mëdha nuk realizohen, ato degradohen dhe shndërrohen në diktatura. Revolucionarët që udhëhoqën të tjerët kundër padrejtësisë, privilegjit dhe arrogancës së pushtetit, me kalimin e kohës fillojnë të ngjajnë me vetë sundimtarët që kishin rrëzuar. Dhe në fund, askush nuk mund të bëjë dallimin midis revolucionarëve dhe elitës së vjetër.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPolitika e Kosovës ka përjetuar vazhdimisht të njëjtin cikël. Shumë nga ish-‘revolucionarët’ kanë degraduar me kalimin e kohës. Vetëm diktatura mungon, të tjerët janë aty.
Diçka e ngjashme ndodhi me ish-presidenten Vjosa Osmani. Ajo u bë presidente duke valëvitur flamurin e “ndryshimit”. U përpoq shumë të ndërtonte identitetin e saj publik mbi narrativën e një politikaneje që lufton kundër establishmentit, atyre që, duke përdorur sloganin e sakrificës në luftë, kishin kapur shtetin dhe kishin krijuar privilegje politike dhe ekonomike. Në tregun tonë politik Vjosa shitej si antiteza e kësaj elite politike. Por sot, pas pesë vitesh në krye të shtetit, shumë prej nesh, si votues të zakonshëm, mund të bëjmë një pyetje që është plotësisht legjitime: a ishte sllogani për ndryshim thjesht një metodë për të hyrë në klubin e të privilegjuarve?
Si duket në politikë është normë. Kur politikani e shijon privilegjin për gjatë, privilegji i bëhet varësi. Dhe, është e dukshme. Ish-presidentja e ka shijuar në maksimum (si person dhe si familje) privilegjin që i kishte dhënë politika. Nga deputete, në kryetare të parlamentit, në presidente të vendit, ish-presidentja nuk ka qenë një figurë e krijuar jashtë sistemit politik të Kosovës. Është produkt i sistemit. Përfituese e tij dhe tani mbrojtëse e statusit që i ka dhënë pushteti. Kurrë nuk ka dashur të marrë përgjegjësi ekzekutive, ku pushteti i jep politikanit mundësinë të ndryshojë, të zgjidhë një problem. Në fund të fundit, pse të merrte përsipër përgjegjësi ekzekutive, aty ku rezultatet e punës mund të maten?
Por, gjatë karrierës së saj politike, ajo na ka treguar se e njeh mirë matematikën e politikës. Llogaritjet janë të dukshme edhe sot. Afrimi i saj sot me LDK-në, partinë që e kishte nokautuar pesë vjet më parë, veç si rikthim ideologjik nuk mund ta quajmë. Duket më shumë si një kthim në strehën natyrore të një klase politike që e njeh mirë mekanizmin e pushtetit; një parti që e njeh mirë mbijetesën përmes riciklimit.
Kjo është industria politike e mashtrimit. Një industri ku politikanët shiten si “të rinj” edhe pse janë plakur në politikë; ku rebelët institucionalë, edhe kur bëhen elita të privilegjuara, vazhdojnë të flasin si viktima; ku ndryshimi përdoret si slogan elektoral, jo si projekt transformimi. Në Kosovën tonë të dashur, politika nuk e ka ndryshuar kurrë sistemin. Sistemi ka mbetur i njëjtë.
Vetëm menaxherët e privilegjit kanë ndryshuar. Dhe ndoshta ky është mashtrimi më i madh që na është shitur.
E, mashtrim nuk është ardhja në pushtet, por shitja e tij si një moral i ri.