Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Kultura e debatit

Nëse nuk mësojmë nga komunikimi “low-context”, mjafton të mendojmë se si kanë komunikuar prindërit dhe gjyshërit tanë. Është e lehtë të debatojmë me ata që kanë ide të njëjta. Kulturë është të debatojmë me kundërshtarët e ideve tona

Debatet televizive në Kosovë, nga periudha e pasluftës e deri më sot, shpesh janë objekt kritikash nga publiku. Në shumicën e rasteve, pakënaqësia nuk lidhet aq me përmbajtjen e diskutimeve, sa me mënyrën e zhvillimit të tyre. Fenomene të tilla si të folurit e njëkohshëm (“fjalamujtas”) dhe mungesa e dëgjimit aktiv të bashkëbiseduesit përbëjnë ndër arsyet kryesore të kësaj pakënaqësie.

Kultura e komunikimit “low-context”

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në literaturën klasike të antropologjisë kulturore, Edward T. Hall (1976) bën dallimin ndërmjet kulturave low-context dhe high-context. Sipas tij, në kulturat low-context, komunikimi mbështetet kryesisht në përmbajtjen eksplicite të mesazhit, ndërsa konteksti luan rol dytësor.

Vendet e Evropës Qendrore dhe Veriore – veçanërisht ato me traditë gjuhësore gjermanike – karakterizohen nga një stil i tillë komunikimi, i cili përfshin: drejtpërdrejtësi në shprehje, strukturim logjik të argumentit, kontroll emocional dhe formalitet.

Fakti që këta popuj i vënë theks argumentit mbi retorikën i bën ata më përmbajtësorë, si në debate publike, ashtu edhe në institucione dhe në jetën e përditshme.

Kultura mesdhetare e komunikimit –  “high-context”

Në kontrast, kulturat mesdhetare dhe ballkanike karakterizohen nga një stil komunikimi high-context, ku kuptimi ndërtohet përmes ndërveprimit kompleks të elementeve verbale dhe joverbale (Edward T. Hall, 1976).

Në këtë model komunikimi është më ekspresiv dhe emocional, ndërprerjet janë më të theksuara si dhe marrëdhëniet ndërpersonale dhe konteksti social kanë rol të rëndësishëm.

Krahasimi mes këtyre dy kulturave:

Stili i komunikimit germanik vs Stili i komunikimit mesdhetar:

- Flet një person në një kohë / Flasin disa persona në një kohë;

- Respektohet radha e fjalës / Nuk respektohet radha e fjalës;

- Qëllimi është të sqarohet çështja / Qëllimi është të fitosh debatin;

- Kritikohet ideja, jo personi / Debati kalon lehtë në personalizim;

- Argumentet ndërtohen logjikisht / Argumentet ndërtohen me retorikë dhe emocion;

- Toni zakonisht mbetet i ulët / Toni ngritët lart;

- Moderatori ndërhyn fort / Moderatori lejon tensionet – mbase i nxit ato

  ndalon ndërprerjet për të rikthyer fokusin në temë.

Të sqarohemi. Kjo kulturë komunikimi nuk ka të bëjë me racën, por me trashëgiminë historike nga kodet e vjetra zakonore, institucionet shtetërore, fetare, nga mediat dhe nga etika e sjelljes së përgjithshme që është kultivuar ndër shekuj.

Edhe unë e mbaj mend debatin nëpër odat shqiptare. Kur fliste njëri, të tjerët dëgjonin. Zakonisht flisnin krerët e odës, por kishte raste kur edhe të tjerët flisnin dhe dëgjoheshin me qetësinë më të madhe nga 20-50 të pranishmit. Pra, mendoj se në pjesën gege të shqiptarëve debati është kultivuar ndryshe - krejt qetë dhe i mbushur me argumente.

Debati në Kosovë

Siç u pa më lart, mënyrat e debatit ndikohen nga kultura, traditat dhe format e jetës shoqërore. Në këtë kontekst, Kosova ishte me fat që nuk ishte aq afër Mesdheut, ndaj nuk u ndikua në masë të madhe nga temperamenti italian dhe grek.

Kosova ka një traditë të çmuar të kuvendimit, e cila është kultivuar dhe ruajtur me shekuj përmes Kanunit dhe Odës shqiptare. Oda ishte një institucion shoqëror me rregulla të nënkuptuara. Edhe unë e mbaj mend debatin nëpër odat shqiptare. Kur fliste njëri, të tjerët dëgjonin. Zakonisht flisnin krerët e odës, por kishte raste kur edhe të tjerët flisnin dhe dëgjoheshin me qetësinë më të madhe nga 30–50 të pranishmit. Kjo sepse fjala kishte peshë dhe përgjegjësi, ndërsa ndërprerja e saj konsiderohej mungesë respekti – në shumë raste edhe fyerje.

Edhe para luftës së vitit 1999, debatet që zhvilloheshin në TV Prishtina tipizoheshin nga vlera të debatit konstruktiv, të qetë dhe argumentues. Prandaj, duke pasur këtë prirje të vjetër dhe kaq të mirë, pse të degradojmë në debate duke krijuar më shumë zhurmë sesa argumente? Nuk e kemi të vështirë të korrigjohemi në këtë pikë. Nëse nuk mësojmë nga komunikimi “low-context”, mjafton të mendojmë se si kanë komunikuar prindërit dhe gjyshërit tanë.

Është e lehtë të debatojmë me ata që kanë ide të njëjta. Kulturë është të debatojmë me kundërshtarët e ideve tona.