Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Xhandarmëria kosovare, nga iluzioni i mbrojtjes ndërkombëtare te ambicia për shtet relevant në rajon

Në shoqëritë e polarizuara dhe me tensione ndëretnike, xhandarmëria, përveçse mund dhe duhet të perceptohet e interpretohet si garanci sigurie për komunitetin, nga palë tjera lokale e ndërkombëtare ka shumë gjasa që e njëjta të merret edhe si simbol për një represion preventiv shtetëror. Por, meqë jemi dëshmitarë të kërcënimeve dhe provokimeve sistematike nga Serbia, as që dëshiroj të hyj në dyshime për iniciativën në fjalë

Një shtet që nuk harton agjenda afatgjata përcaktuese se si do të duket “arkitektura e ardhshme mbrojtëse” e vendit në rrethana të një “kaosi” ende të kontrolluar global, në gjykimin tim, duket se do ta ketë të vështirë të mbijetojë edhe si shoqëri, po edhe si shtet. Dhe, në gjithë këtë alibi e “kërkesë të kohës”, kur të gjitha shtetet në rajon, por edhe në kontinent, po hartojnë plane strategjike të mbrojtjes, do të ishte absurde të mos mendohej për rreziqet që na kanosen edhe neve që ende jemi në brishtësi shtetërore.

Andaj, këto kërkesa për shtimin e sigurisë, në formë dhe përmbajtje të ofertave atraktive, do të duhej t’i kishim prononcime nga të gjitha subjektet tona që shpresojnë ta marrin votën e qytetarëve më 7 qershor. Fakt ky që, mjerisht, nuk po e dëgjojmë edhe aq shumë në debatet publike. Ky abstenim nga këto tema, në fakt, për një qytetar të rëndomtë të Republikës, çon një mesazh mjaft serioz: se këto subjekte aktuale më shumë janë të koncentruara në marrjen e pushtetit sesa në mbrojtjen e shtetit! Shtetit për të cilin ende mendohet se mbrojtja dhe siguria duhet të vijnë ekskluzivisht nga “dora” ndërkombëtare, e jo nga vizioni dhe hartimi i projekteve tona vendore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Bota po ndryshon në të gjitha sferat dhe shtetet serioze, që e kanë të zhvilluar ndjeshëm sensin dhe mekanizmin e “alarmit” për paralajmërime të hershme, shumë më lehtë do ta kalojnë periudhën “postkaosiane”. Në kuadër të këtij vizioni dhe paralajmërimi të hershëm, padyshim që hyn edhe ideja e angazhimit për ta funksionalizuar Forcën e Sigurisë të Kosovës (FSK), si dhe ajo për krijimin e xhandarmërisë, si një instrument force të ndërmjetme sigurie mes policisë klasike dhe ushtrisë moderne.

Ajo çfarë unë “shoh” nga perspektiva dhe përvoja ime sociologjike është se krijimi i një mekanizmi të ri si xhandarmëria po lind edhe si domosdoshmëri e nuhatjes së shtetit të Kosovës për rreziqet eventuale, që mund të rezultojnë si pasojë e kërcënimeve dhe sulmeve të vazhdueshme hibride nga grupet kriminale paramilitare të Serbisë, e jo si zgjerim i mekanizmave të kontrollit dhe “disiplinimit” mbi shoqërinë që duhet përshëndetur.

Dilema e vetme, në gjykimin tim, që duhet shtruar kur është fjala për këtë “hallkë” të re sigurie, është kjo: A po synohet të ndërtohet, në këto rrethana “kaosi”, një mekanizëm shumë më efikas sigurie, apo po pretendohet të krijohet një strukturë e re me potencial për centralizim të tepruar të forcës në shoqëri?!

E them kështu, sepse në shoqëritë e polarizuara dhe me tensione ndëretnike, xhandarmëria, përveçse mund dhe duhet të perceptohet e interpretohet si garanci sigurie për komunitetin, nga palë tjera lokale e ndërkombëtare ka shumë gjasa që e njëjta të merret edhe si simbol për një represion preventiv shtetëror. Por, meqë jemi dëshmitarë të kërcënimeve dhe provokimeve sistematike nga Serbia, as që dëshiroj të hyj në dyshime për iniciativën në fjalë.

Por, ajo çfarë mendoj se është dashur ta “shoqërojë” këtë ide e iniciativë ka të bëjë me mungesën e një arsyetimi shumë më të ngjeshur nga ana e iniciatorit për publikun. Sepse, të hedhësh këtë ide në kohën e rritjes së polarizimit dhe acarimit ndërpartiak e ndërqytetar, ku mbizotërojnë keqkuptimet dhe keqinterpretimet e (pa)qëllimshme nga ana e oponentëve politikë, nuk është edhe aq mençuri politike, e as strategji e duhur për atë që unë e quaj “makiavelizëm estetik politik”, ku nuk zgjidhen fare mjetet për të arritur qëllimet e caktuara… e ato po dihen; maksimalizimi i kuotës së votës elektorale.
Thënë më ndryshe, ideja ka mundur të iniciohej më vonë nga cilado qeveri e ardhshme pa pompozitet, pa reklamim të madh e pa ngucakeqje e keqkuptime absurde, të cilat, veçse po shoh, se kanë filluar të “ushtrohen” në fushatën elektorale. Kështu që debati për xhandarmërinë nuk mendoj se është vetëm çështje teknike apo policore, por është edhe nevojë institucionale e sidomos simbolikë e një embleme për vetë konceptin e shtetësisë së Kosovës.

(Autori është sociolog dhe profesor në Universitetin e Prishtinës)