Do të futemi në botën magjike të librit, aty ku gjithçka është e mundur. Aty ku një faqe mund të hapë një aventurë, një fjali të të bëjë të ndalosh, dhe një personazh i vogël të të udhëheqë deri në fund të botës.
Jemi në edicionin e 25-të të Panairit të Librit në Prishtinë. Në raftet e mbushura plot, librat presin t’i takojnë lexuesit e tyre. Gjithashtu përmes këtij edicioni ju mund të sfidoni veten përmes rubrikave “Kuiz” dhe “Gjëegjëzë”.
Kuiz për fëmijë: Cili është vendi më i mirë për të lexuar?
Cili është vendi më i mirë për të lexuar?
a) Vetëm në bibliotekë
b) Vetëm në shkollë
c) Kudo ku ndihemi mirë
Gjeni gjëegjëzën
Faqe pas faqeje bashkë udhëtojmë,
Në mal, në fushë, në det të ftohtë.
Azi, Afrikë, kudo që dëshiron,
Më merr në duar dhe me vrap do të shkojmë.
Leximi, siç e shohin fëmijët
Leximi nuk është detyrë. Është kohë për vete. Është qetësi. Është një mënyrë për të mësuar gjëra të reja, për të ndier emocione, dhe, ndonjëherë, për të kuptuar gjëra që nuk dinim si t’i thoshim.
Dhe, pikërisht për këtë, libri është madhështor. Sepse na flet pa e ngritur zërin. Na jep hapësirë të mendojmë, të ndiejmë, të bëhemi më të mirë. Nuk na nxiton. Nuk na gjykon. Vetëm na ofron dije, ndjesi, botë të tjera, dhe na lejon t’i përjetojmë kur jemi gati.
Në një botë që shpesh lëviz shumë shpejt, libri është vendi ku gjithçka ngadalësohet. Ku gjithçka fillon të ketë kuptim.
Në këtë episod kemi takuar shumë fëmijë lexues – të vegjël në moshë, por të mëdhenj në mendime. Ata na tregojnë për librat që i bëjnë të qeshin, për ato që i lexojnë me zë në shtëpi, që i marrin me vete në çantë, ose që i mbajnë pranë shtratit.
Sepse kur një fëmijë lexon - rritet jo vetëm në trup, por edhe në mendje dhe zemër.
Libri nuk përfundon kur mbaron faqja e fundit. Ai vazhdon të jetojë brenda nesh, në mendimet tona, në fjalët që i përdorim dhe në mënyrën si e shohim botën.
Kështu e mbyllim këtë udhëtim të vogël në mes të librave. Derisa ta hapim librin tjetër...