Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur përqindjen e qytetarëve që kanë votuar deri në orën 15:00 në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut.
Zëdhënësi i KSHZ-së Admir Shabani në konferencën e radhës për media ka bërë të ditur se dalja e votuesve është 515.069 ose 31.16 për qind, ndërsa kjo përqindje në orën 13:00 ishte 335.244 ose 20.12 për qind, raporton KosovaPress.
Shabani ka thënë se KSHZ-ja për momentin nuk ka informacione për një person të arrestuar për parregullsi në komunën e Çairit.
Dalja e votuesve në Shkup është 34.46 për qind, ndërsa në Çair 35.65 për qind. Dalja e votuesve në Tetovë është 32.51, Gostivar 20.95 për qind, Strugë 27.62 për qind, Kumanovë 27.79 për qind, Likovë 26.57 për qind, Zhelinë 28.5 për qind, Dibër 25.13 për qind.
Më së shumti qytetarë të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar në komunën Çashka – 53.19 për qind, ndërsa më së paku në Qendrën Zhupa 17.92 për qind. Në Studeniçan dalja është 28.7 për qind.
Në Maqedoni të Veriut po votohet për pushtetin lokal. Janë regjistruar disa parregullsi deri më tash, siç është raportuar nga “Alsat-M”. Në Karposh është ndërprerë votimi me aparatin biometrik dhe po vazhdohet me metodën tradicionale. Në Çair është arrestuar një anëtar i këshillit zgjedhor, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se janë arrestuar dy persona në Prilep për “blerje votash dhe ndikim në votime”.
