Mijëra njerëz të udhëhequr nga studentë universiteti janë mbledhur para selisë së dëmtuar të ushtrisë serbe në Beograd të martën.
Ata kanë protestuar kundër miratimit të një ligji të posaçëm në parlamentin e vendit, i cili hap rrugën për një projekt të diskutueshëm që do të financohet nga një kompani investimi e lidhur me dhëndrin e Donald Trump, Jared Kushner.
Ligji është përballur me kundërshtime të gjera publike dhe pengesa ligjore.
Përmes projektit synohet të rindërtohet kompleksi historik ushtarak në qendër të Beogradit, i cili u shkatërrua pjesërisht gjatë fushatës sëbombardimi të NATO-s në vitin 1999, duke e shndërruar atë në një kompleks luksoz me një hotel, zyra dhe dyqane.
Qeveria e Serbisë vitin e kaluar ia hoqi kompleksit statusin e tij të mbrojtur dhe nënshkroi një marrëveshje qiraje 99-vjeçare me Affinity Global Development, e lidhur me Kushnerin, me seli në SHBA.
Por projekti u ndal pasi prokurorët e krimit të organizuar të Serbisë nisën një hetim nëse dokumentet e përdorura për të hequr atë status ishin të falsifikuara.
Teksa qeveria populiste e presidentit Aleksandër Vuçiq thotë se projekti do të nxisë si ekonominë ashtu edhe lidhjet me administratën aktuale amerikane, plani është përballur me kundërshtime të ashpra nga ekspertët për shkak të rëndësisë arkitekturore të ndërtesës - dhe sepse shihet si një simbol i rezistencës ndaj bombardimeve të NATO-s të udhëhequra nga SHBA-ja.
Serbia u bombardua në vitin 1999 për 78 ditë për të detyruar presidentin e atëhershëm Slobodan Miloseviq të ndalonte shtypjen e tij ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Ndjenjat anti-NATO në Serbi mbeten të forta edhe sot e kësaj dite dhe shumë veta mendojnë se roli i SHBA-së në rinovimin e selisë së ushtrisë është veçanërisht i ndjeshëm.