Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Rajon

NATO-ja dhe Serbia nisin stërvitjen e përbashkët ushtarake

NATO - Serbia

Stërvitja e parë e përbashkët ushtarake për këtë vit mes NATO-s dhe Serbisë ka nisur këtë javë në bazën “Jug” dhe poligonin ushtarak “Borovac” afër Bujanocit, ndërsa do të zgjasë deri më 23 maj.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, e cila njoftoi se në stërvitjen e quajtur “NATO-Serbia” po marrin pjesë rreth 600 pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë dhe forcave të armatosura të Italisë, Rumanisë dhe Turqisë, shkruan “Index.hr”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në këtë aktivitet ushtarak janë të pranishëm edhe planifikues dhe vëzhgues ushtarakë nga disa shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Malin e Zi.

Stërvitja udhëhiqet nga koloneli Branislav Stevanoviq, zëvendëskomandant i Brigadës së Tretë të Ushtrisë serbe.

Sipas Ministrisë serbe të Mbrojtjes, bëhet fjalë për një stërvitje taktike që synon përmirësimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet Ushtrisë së Serbisë dhe forcave të vendeve anëtare të NATO-s.

Gjatë aktiviteteve dyjavore në terren do të ushtrohen taktika, teknika dhe procedura që përdoren në operacionet për mbështetje të paqes, përfshirë sigurimin e bazave, kontrollin në pika kontrolli, menaxhimin e tubimeve masive dhe operacionet luftarake në zona urbane.

Ministria serbe theksoi se stërvitja po mbahet në bazë të një vendimi të Qeverisë së Serbisë dhe në kuadër të programit “Partneriteti për Paqe”, duke respektuar, sipas saj, neutralitetin ushtarak të vendit.

Po ashtu, u bë e ditur se bashkëpunimi mes Serbisë dhe NATO-s synon ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, rritjen e kapaciteteve operacionale të forcave të armatosura dhe forcimin e besimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.