Automjete të djegura, lokale të shkatërruara, sulme fizike dhe mesazhe “përzini turqit” janë pamje që e përshkruajnë Malin e Zi këto ditë. Shpërthimi i dhunës ndaj shtetasve turq filloi pas një sherri, në të cilin, sipas autoriteteve, shtetas turq dhe azerbajxhanas plagosën lehtë një banor të Podgoricës. Çfarë pasoi pastaj ishin sulme ndaj shtetasve turq dhe pronës së tyre, si dhe protesta të organizuara ku pati mesazhe kërcënuese ndaj tyre. Si pasojë, Qeveria malazeze, përmes një procedure të përshpejtuar, vendosi regjim vizash për shtetasit turq. Ndërkaq, analisti i njohur Andrej Nikolaidis ka vlerësuar se incidenti dhe protestat janë provokuar qëllimisht nga regjimi serb: “E gjithë kjo filloi shumë saktësisht pasi Vuçiq u rebelua, sepse Erdogan i shiti dronë Kosovës. Intoleranca ndaj qytetarëve të Turqisë u provokua qëllimisht përmes rrjeteve sociale dhe mediave kryesore” – përcjell kdp.mk deklaratën e Nikolaidisit për median serbe.
Duke komentuar këto zhvillime, shkrimtari dhe analisti i njohur nga Ulqini, Andrej Nikolaidis ka thënë se këto nuk janë protesta kundër të huajve, por një shprehje e intolerancës së qartë ndaj turqve, dhe se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe Agjencia Informative e Sigurisë (BIA) qëndrojnë prapa gjithçkaje.
“Këtu nuk ka kurrfarë intolerance ndaj të huajve, por një intolerancë e shprehur qartë ndaj turqve. Në Mal të Zi ka pesë deri në dhjetë herë më shumë rusë sesa turq. Nëse shikoni statistikat, numri i veprave penale të kryera nga qytetarët e Rusisë ose Serbisë është pesë deri në dhjetë herë më i lartë se numri i veprave penale të kryera nga qytetarët e Turqisë”, ka deklaruar Nikolaidis TV N1, duke vlerësuar se tubimet e organizuara kanë përhapur narrativa fashiste.
“Kjo është një intolerancë e qartë dhe ajo që amerikanët do ta quanin ‘profilizim etnik dhe fetar’. E pashë anketën dhe mund të them se ata po përhapin një narrativë fashiste. Ky lloj ksenofobie nuk bazohet në realitet, por në ideologji dhe mitologji, dhe ç‘është më keq – në një politikë konkrete që nuk është politikë e Qeverisë së Malit të Zi, por e autoriteteve të Beogradit”, ka thënë ai. “Kjo filloi shumë saktësisht pasi Vuçiq u rebelua, sepse Erdogan i shiti dronë Kosovës. Intoleranca ndaj qytetarëve të Turqisë u provokua qëllimisht përmes rrjeteve sociale dhe mediave kryesore”, ka thënë tutje ai duke përmendur me emra eksponentë të regjimit të Beogradit sipas të cilëve në Mal të Zi ka 110 mijë turq fiktivë, ndërsa në fakt numri i saktë është 13 mijë.
Me këtë rast, Nikolaidis ka rikujtuar se aktualisht Mali i Zi ka një qeveri, gjysma e së cilës përbëhet nga njerëz nën kontrollin e Aleksandar Vuçiqit.
“Mali i Zi është një pikë e dobët, sepse ka një qeveri të dobët, të paktën gjysma e së cilës e përbëjnë njerëz nën kontrollin e Vuçiqit. Zotërinjtë e vërtetë të Malit të Zi janë BIA dhe Aleksandar Vuçiq Nuk të duhen më shumë se dy gramë tru për të kuptuar se ky është një operacion i BIA-s. Nuk ka kurrfarë spontaniteti. Nuk ka diçka që quhet mbledhje spontane e popullit – veçanërisht nëse këto janë grupe tifozësh me një koreografi të përgatitur qartë që evokon trashëgiminë fashiste, dhe nëse ka replika të përgatitura që bëjnë thirrje për homogjenizimin e malazezëve dhe serbëve. Kur merr parasysh se si filloi gjithçka dhe si po zhvillohet, është e qartë se kush qëndron prapa kësaj. Është e qartë edhe kush është objektivi përfundimtar”, ka thënë ai.
“Nuk shikoj çfarë lidhje kanë me këtë Milo Gjukanoviqi dhe regjimi, sepse ata nuk janë në pushtet për më shumë se pesë vjet. Fakti që po arrestohen është i mirë, por ata nuk kanë kurrfarë lidhjesh me këto ngjarje në Podgoricë – të paktën unë nuk po i shoh,“- ka deklaruar A. Nikolaidis, kur është pyetur nëse këtu ka lidhje ish-presidenti Milo Gjukanoviq.
Sipas tij, zhvillimet e ditëve të fundit janë në fakt paralajmërim për kryeministrin malazez Milojko Spajiq.
“Qëllimi i asaj që ndodhi në Podgoricë është një paralajmërim për kryeministrin Spajiq – çfarë do të ndodhë nëse ai vendos të përjashtojë nga qeveria partitë e kontrolluara nga Vuçiq. Ai në një moment mund të vendosë ta bëjë këtë, sepse këto parti mund të përpiqen të bllokojnë rrugën e Malit të Zi drejt BE-së. Kjo është një provë gjenerale e asaj që do të ndodhë nëse Spajiq vendos se nuk do të tolerojë bllokadën drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë Andrej Nikolaidis për N1.