Ka vdekur papritmas dëshmitari kyç në hetimin nëse turistë të pasur kanë paguar mijëra euro për të vrarë civilë të paarmatosur gjatë rrethimit të Sarajevës në të ’90-tat. Çetniku i famshëm Sllavko Aleksiq ishte udhëheqës i njësisë paramilitare serbe të Bosnjës.
Ai vdiq në Trebinë edhe pse raportohet se ishte në gjendje të mirë shëndetësore, sipas “The Times”.
Vdekja e tij e papritur ka ndodhur në kohën kur në Itali nisën hetimet muajin e shkuar për pretendimet se shtetas të huaj kishin paguar anëtarë të forcave serbe të Bosnjës për të qëlluar mbi civilët, në një veprim që disa e quanin si “turizëm snajperësh”.
Aleksiq 69-vjeçar pati marrë kontrollin e varrezave hebraike mbi Sarajevë. Ajo zonë përdorej nga snajperët gjatë rrethimit. E sipas avokatit serb Çedomir Stojkoviq, Aleksiq ka qenë dëshmitar kyç “sepse mund të tregonte se kush qëlloi dhe kush organizoi gjithçka”.
“Është e arsyeshme të dyshohet se vdekja e Aleksiqit është e lidhur me hetimin për safarin dhe se shërbimi inteligjent serb ka qenë i përfshirë”, ka shkruar ky avokat në X.
Muajin e shkuar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u akuzua se ishte i përfshirë në “turizmin e snajperëve” në Sarajevë. Vuçiq ka mohuar pretendimet. Më 24 nëntor, Aleksiq dha një intervistë për një televizion në Serbi duke mohuar se Vuçiqi ka pasur gisht në këtë çështje.
Vdekja e Aleksiqit erdhi pak pas ripublikimit të videos morbide të një veture që i atribuohej atij, e në kapakun e së cilës ishte një kafkë njerëzore, që dyshohet se ishte hequr nga trupi i një viktime boshnjake.
Hetimet për vrasjet në Sarajevë u nisën pas dokumentarit “Sarajevo Safari” të vitit 2022. Filmi pretendon se entuziastë të armëve nga Rusia, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkonin në Sarajevë gjatë fundjavave për të qëlluar mbi civilët për qejf, me çmim më të lartë nëse i kishin për cak fëmijët.
Të mbijetuarit e masakrës së Sarajevës kanë kërkuar dënime të ashpra ndaj turistëve që dyshohet se paguanin për të vrarë civilët.
Më shumë se 10,000 njerëz janë vrarë në Sarajevë nga bombardimet e vazhdueshme dhe sulmet me snajper midis viteve 1992 dhe 1996, në atë që ishte rrethimi më i gjatë në historinë moderne, pasi Bosnja dhe Hercegovina shpalli pavarësinë nga Jugosllavia.
Hetimi filloi nga një ankesë ligjore e paraqitur nga Ezio Gavazzeni, një shkrimtar me bazë në Milano, i cili mblodhi prova mbi akuzat, si dhe një raport të dërguar prokurorëve nga ish-kryetarja e bashkisë së Sarajevës, Benjamina Kariq. Gavazzeni ka thënë se kishte lexuar për herë të parë raportet rreth “turistëve të dyshuar snajperistë” në shtypin italian në vitet ‘90, por vetëm pasi kishte parë “Sarajevo Safari”, një dokumentar i vitit 2022 nga regjisori slloven Miran Zupaniq, filloi të hetonte më tej.
Në dokumentar, një ish-ushtar serb dhe një kontraktor pretenduan se disa grupe perëndimorësh qëllonin popullsinë civile nga kodrat përreth Sarajevës. Pretendimet e tyre janë mohuar me forcë nga veteranët serbë të luftës.
Gavazzeni pretendon se shumë italianë dyshohet se janë të përfshirë, pa dhënë një shifër.