Rajon

Përshëndetja pro-naziste në koncertin e Thompsonit nxisin reagime

Përshëndetja pro-naziste në koncertin e Thompsonit nxisin reagime

Foto: Associated Press

Këngëtari i njohur kroat, Marko Perkoviq – Thompson, dhe qindra mijëra fansa të tij kanë bërë përshëndetjen pro-nazizmit në koncertin e madh të mbajtur të shtunën në Zagreb, duke nxitur polemika të shumta.

Një prej këngëve të tij të famshme nis me një përshëndetje “Për vendlindjen – Gati”, që përdorej nga regjimi i ushtashëve në Kroacinë e kohës së nazizmit.

Perkoviq, emri skenik i të cilit është Thompson për shkak të armës amerikane, ka thënë se këngët e tij, që nga shumë cilësohen kontroverse dhe nxitëse, janë “dëshmi e përfundimit të një epoke”. Ai ka thënë se ato janë të lidhura me fundin e luftës së Kroacisë dhe shpalljen e pavarësisë nga ish-Jugosllavia. Lufta e të ’90-tave shpërtheu kur serbët lokalë, të mbështetur nga Serbia, synuan të ndaheshin nga Kroacia dhe të bashkoheshin me Serbinë.

Fama e Perkoviqit në Kroaci, siç ka shkruar “Associated Press”, reflekton ruajtjen e sentimentit nacionalist edhe 30 vjet pas luftës.

Trupat e quajtur ustashe në Kroaci kishin vrarë dhjetëra mijëra serbë, hebre e romë gjatë kampeve të përqendrimit në shtet. Pavarësisht mizorive të dokumentuara, disa nacionalistë ende i shohin udhëheqësit e regjimit ustash si themelues të shtetit të pavarur kroat.

Organizatorët kanë thënë se më shumë se gjysmë milioni njerëz morën pjesë në koncertin në kryeqytet. Videot kanë treguar përshëndetjet pro-naziste. Ajo është e dënueshme në Kroaci, por gjykatat kanë vendosur që Perkoviq mund ta përdorë si pjesë të këngës, ka njoftuar televizioni shtetëror kroat, HRT.

Perkoviqit i është ndaluar performimi në disa prej qyteteve evropiane, për shkak të këngëve dhe skenës në koncerte.

“Vecernji List” kroat ka shkruar se organizimi ka mbetur nën hijen e përshëndetjes së regjimit që miratoi “ekzekutimin masiv të njerëzve”.

Ndërkaq televizioni rajonal “N1” ka theksuar se çfarëdo interpretimi që mund t’i jepet përshëndetjes, ajo padyshim bën fjalë për regjimin ustash. Siç ka shkruar ky medium, teksa gjermanët kanë bërë ndarje të qartë nga çdo gjë që lidhet me nazizmin “për të parandaluar interpretimet e shtrembra dhe kthimin në të kaluarën e errët.... Kroacia s’është as afër kësaj, as në vitin 2025”.

Në Serbi, presidenti Aleksandar Vuçiq, i ka kritikuar koncertet e Perkoviqit duke i quajtur “paraqitje të përkrahjes për nazizmin”. Ish-presidenti serb, Boris Tadiq, ka thënë se ky koncert ka qenë turp për Kroacinë dhe Bashkimin Evropian sepse “glorifikon vrasjen e njerëzve të një kombi, në këtë rast Serbisë”.

Kroacia iu bashkua BE-së më 2013.

Policia e Kroacisë ka thënë se koncerti i Perkoviqit ka qenë më i madhi ndonjëherë.

Nuk është raportuar për ndonjë incident të madh.