Rajon

Rezistenca kundër Vuçiqit, mijëra marshojnë nëpër Serbi

sr

Foto: Associated Press

Mijëra persona u janë bashkuar marsheve protestuese në disa qytete të Serbisë të mërkurën për të shprehur rezistencën kundër presidentit autokrat, Aleksandër Vuçiq.

Turma njerëzish u mblodhën për të shënuar 11 mujorin e shembjes së strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad ku mbetën të vdekur 16 persona dhe incident që nxiti lëvizjen masive anti-qeveritare.

Protestuesit besojnë se shembja në stacionin e rinovuar hekurudhor ndodhi për shkak të neglizhencës në projektet ndërtimore. Rinovimi i ndërtesës ishte pjesë e një projekti më të madh me kompani kineze, raportoi AP. 

Me dritat e telefonave përpjetë, protestuesit në Beograd ecën në heshtje për të nderuar viktimat. Turma të mëdha u mblodhën edhe në Novi Sad mes shiut të dendur në qytet.

Nuk u raportua për incidente, siç ndodhi në tubimet e kaluara ku u përfshi policia me gaz lotsjellës kundër protestuesve.

Studentët – forca kryesore prapa protestave – po kërkojnë drejtësi për tragjedinë në Novi Sad, por edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare të cilat shpresojnë se do ta largonin qeverinë populiste të Vuçiqit.