Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, akuzoi të premten Ukrainën se qëndron pas tentim vrasjes së gjeneralit të lartë rus në Moskë, duke thënë se sulmi kishte për qëllim sabotimin e bisedimeve për paqe, raporton Reuters.
“Ky akt terrorist konfirmoi edhe një herë përqendrimin e regjimit të Zelenskyt në provokime të vazhdueshme, të cilat synojnë nga ana tjetër sabotimin e procesit të negociatave”, tha Lavrov.
Sipas autoriteteve hetimore ruse, një oficer i lartë i ushtrisë, gjenerallejtnant Vladimir Alexeyev, u dërgua me urgjencë në spital të premten pasi u qëllua me armë zjarri në Moskë. Ky incident është më i fundit në një seri sulmesh ndaj zyrtarëve të lartë ushtarakë rusë.
Deri më tani, Ukraina nuk ka dhënë asnjë koment lidhur me të shtënat.
Lavrov nuk paraqiti prova për të mbështetur akuzat e tij se Kievi ishte përgjegjës për sulmin.