Ministri i Drejtësisë në Serbi, Nenad Vujiq, ka thënë se shteti i tij duhet të tregojë që u qëndron prapa të gjithë të të dënuarve për krime lufte, kur ka folur për lirimin e parakohshëm të Nebojsha Pavkoviqit, të dënuar për krimet e luftës ndaj popullsisë civile në Kosovë.
Ditë më parë, gjenerali serb u lirua nga burgu në Finlandë për “shkaqe shëndetësore”. Më 2009 ai u dënua me 22 vjet burgim për krime ndaj shqiptarëve të Kosovës më 1999. Lirimi u bë me kërkesë të Serbisë.
“Me raportet që kemi pasur gjatë gjykimit dhe të gjitha procedurave, dhe gjatë vuajtjes së dënimit, ne disi i kemi harruar këta njerëz dhe i kemi lënë të vetëm. Prandaj, pavarësisht nga zhvillimi i procedurës, ne duhet të tregojmë se si shtet qëndrojmë pas atyre njerëzve. Ne ende kemi njerëz në burgje”, ka thënë Nenad Vujiq, për televizionin “Informer”.
Ai ka thënë se planifikon t’i vizitojë edhe të tjerët të dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.
“Plani im është të shoh, të përpiqem, sigurisht duhet pajtim edhe atje, që të vizitoj edhe të tjerët në Estoni (Milan Martiq), Britani të Madhe (Radovan Karaxhiq), gjeneralin Ratko Mlladiq në Hagë dhe kështu me radhë, që të shohim nga brenda se çka po ndodh. Kam ngritur këto çështje edhe në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Vujiq.
Ai ka thënë se Serbia ka bërë vazhdimisht kërkesa urgjente për Pavkoviqin që nga korriku.
Edhe kryetari i Partia Përparimtare Serbe e ish-kryeministri Milosh Vuçeviq, ka thënë se është çështje krenarie që Serbia ka arritur t’i rikthejë “dy komandantë të mëdhenj të luftës” – Nebojsha Pavkoviqin dhe Vladimir Lazareviqin.
Pavkoviq, tash 79-vjeçar u shpall fajtor në vitin 2009 për të gjitha pikat e aktakuzës dhe u dënua për dëbime, zhvendosje të detyruara, vrasje dhe persekutim të civilëve shqiptarë nga Kosova në gjysmën e parë të vitit 1999.
Kundër tij dhe gjeneralëve të tjerë serbë, në fund të vitit 2003 u ngrit aktakuzë nga Tribunali i Hagës, ndërsa në vitin 2005 ai u dorëzua në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë. Së bashku me të, u dënuan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, Dragolub Ojdaniq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, gjenerali i policisë Sreten Llukiq dhe ish-nënkryetari i Qeverisë së Jugosllavisë, Nikolla Shainoviq.
Pavkoviq dhe Llukiq u dënuan me nga 22 vjet burgim, ndërsa Ojdaniq dhe Llazareviq me nga 15 vjet.
I pandehuri i parë, Sllobodan Millosheviq, vdiq në paraburgim, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviq, u shpall i pafajshëm.