Departamenti Amerikan i Thesarit ka dhënë një licencë të posaçme që shtyn sanksionet e plota ndaj kompanisë serbe të naftës NIS, e cila është në pronësi ruse, deri më 8 tetor. Licenca lejon hapjen e një filiali të ri dhe vazhdimin e operacioneve të kompanisë edhe për tetë ditë, ka njoftuar NIS-i të mërkurën (1 tetor).
NIS-i operon rafinerinë e vetme të naftës në Serbi, në qytetin e Pancevos, afër Beogradit, me një kapacitet vjetor prej 4.8 milionë tonësh, që mbulon pjesën më të madhe të nevojave të vendit për naftë të përpunuar.
SHBA-ja e ka futur kompaninë më të madhe të naftës në Serbi në listën e sanksioneve më 10 janar, për shkak të të ashtuquajturit “rrezik sekondar”, pasi që shumica e pronësisë së saj është ruse. Që atëherë, sanksionet janë shtyrë gjashtë herë, ndërsa javën e kaluar SHBA-ja njoftoi se ato do të fillonin më 1 tetor.
Sanksionet amerikane janë vendosur për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Transporti i naftës së papërpunuar për NIS-in kryhet përmes kompanisë JANAF në Kroaci, e cila gjithashtu ka marrë një licencë që vlen deri më 8 tetor. JANAF-i ka njoftuar se do të aplikojë për një zgjatje të licencës me mbështetjen e Qeverisë së Kroacisë dhe avokatit të saj amerikan.
Suksesi i shtyrjes së sanksioneve pas datës 8 tetor do të varet nga aktivitetet e mëtejshme të kompanisë NIS, sipas institucioneve kompetente amerikane.
Struktura e pronësisë së NIS-it është ndryshuar disa herë. Kompania ruse Gazprom është larguar nga pronësia e NIS-it në shtator, dhe një nga pronarët e rëndësishëm u bë një tjetër kompani e menaxhuar nga Gazpromo, kompania Intelidzhens nga Shën Petersburgu.
Shoqëria aksionare Intelidzhens u bë pronare e 11.3% të aksioneve të kompanisë, sipas të dhënave të publikuara në faqen e Bursës së Beogradit më 21 shtator.
Pjesa më e madhe e pronësisë së NIS-it vazhdon të mbahet nga Gazprom Neft, filial i Gazpromit (44.9%), ndërsa shteti i Serbisë ka 29.9%. Pjesa tjetër i takon aksionarëve të vegjël.
Deri në vitin 2008, NIS-i ishte kryesisht në pronësi të shtetit, kur Serbia shiti 51% të aksioneve te Gazprom Neft për 400 milionë euro.