Rajon

SHBA-ja sanksionon gabimisht pensionistin serb për shkak të emrit Zvonko Veselinoviq

Biznesmeni kontrovers Zvonko Veselinoviq

Biznesmeni kontrovers Zvonko Veselinoviq

Një pensionist nga Shabaci, i cili mban të njëjtin emër e mbiemër me biznesmenin kontrovers Zvonko Veselinoviq, ka përfunduar gabimisht në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zvonko Veselinoviq, banor i Shabacit, thotë se nuk ka asnjë lidhje me emnakun e tij, shkruan revista javore “Vreme” të enjten.

Veselinoviqi nga Shabaci është 20 vjet më i madh se biznesmeni Veselinoviq. Deri në vitin 2021, ai ishte pronar i një dyqani që shiste pjesë të veturave. Por para se ta mbyllte kompaninë, emri i tij u fut në listën e sanksioneve amerikane. Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) e kishte lidhur gabimisht kompaninë e tij me biznesmenin e njohur me të njëjtin emër.

Sanksionet kundër biznesmenit serb Zvonko Veselinoviqit u vendosën në dhjetor të vitit 2021 – 11 muaj pasi pensionisti nga Shabaci e kishte mbyllur kompaninë e tij.

Pensionisti thotë se nuk ka pasur asnjë problem pse kompania e tij figuron në listën e OFAC-ut.

“Askush nuk më ka kërkuar, as nuk më ka telefonuar për këtë punë. Vetëm gazetarët më kanë kontaktuar këto ditë”, thotë 65-vjeçari duke qeshur.

I mësuar tashmë me thirrjet e gazetarëve, ai tregon se edhe miqtë e familjarët po e thërrasin me shaka, duke ia përmendur “popullaritetin” e papritur.

“E kemi të njëjtin emër e mbiemër. Ai është njeri i pasur dhe biznesmen, unë jam njeri krejt i zakonshëm. Nuk kam asnjë problem, nuk ndjehem fajtor dhe nuk më ka kushtuar asgjë”, ka thënë ai.

Ai thotë se ditët e pensionimit po i kalon duke u marrë me bujqësi. Ka udhëtuar jashtë Serbisë pas vendosjes së sanksioneve dhe thotë se nuk ka hasur asnjë pengesë. As familjarët e tij nuk kanë pasur probleme.

Kompania e tij figuron në programin e sanksioneve GLOMAG, i cili synon individë e ente që lidhen me korrupsion të rëndë ose shkelje serioze të të drejtave të njeriut.

Ata që futen në listën GLOMAG u bllokohen asetet në SHBA, u ndalohen transaksionet ekonomike me kompani, institucione apo qytetarë amerikanë, dhe mund t’u ndalohet hyrja në SHBA.

Veselinoviqi nga Shabaci thotë se nuk ka pasur kurrë plan të udhëtojë në SHBA dhe as nuk ka kërkuar vizë.

Të gjitha lajmet për Zvonko Veselinoviq