Rajon

Suat Shaqiri i AKI-së, kryetari i parë shqiptar në Çashkë

Suat Shaqiri

Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, ka shpallur fitore në Komunën e Çashkës, duke e cilësuar këtë rezultat si arritje historike, pasi për herë të parë kjo komunë do të menaxhohet nga një shqiptar.

Kandidati fitues i Aleancës Kombëtare për Integrim është Suat Shaqiri, i cili do të shërbejë si kryetar i parë shqiptar në Çashkë.

Ademi bëri të ditur gjithashtu se në Komunën e Studeniçanit, kandidatët e AKI-së do të përballen në balotazh me kandidatin e pavarur Azem Sadiku. Kandidati i AKI-së për Studeniçanin është Ejup Abazi.

Ndërkohë, kandidati i AKI-së për kryetar të Çairit nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani, ka uruar kundërkandidatin e tij, Izet Mexhitin, për fitoren në komunë, duke i dëshiruar sukses në drejtimin e Çairit gjatë katër viteve të ardhshme.

Osmani falënderoi gjithashtu mbështetësit e tij për angazhimin gjatë fushatës, duke theksuar se vendimi përfundimtar i takon qytetarëve.

“Megjithatë, në politikë, fjala e fundit u takon qytetarëve. Unë kam qenë mjaft gjatë në politikë për t’i njohur dhe respektuar mesazhet që qytetarët i dërgojnë. Edhe pse fushata nuk ishte gjithmonë e drejtë apo e ligjshme në çdo aspekt, nuk dua të ankohem, sepse besoj se ndershmëria dhe vlerat kanë kuptim vetëm kur i ruan edhe në situata të tilla”, tha Osmani. /RTK

Lexo përditësimet tjera
zgjedhje

Zgjedhje lokale në Maqedoninë e Veriut