Rajon

Vazhdojnë tensionet në Beograd, policia heq bllokadat dhe bën arrestime të reja

Beograd

Foto: Associated Press

Policia serbe ka hequr bllokadat e rrugëve në kryeqytetin Beograd të hënën herët, të cilat ishin vendosur si pjesë e një proteste për shkak të një vale arrestimesh të protestuesve antiqeveritarë, pas një tubimi masiv që kërkonte zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Mijëra demonstrues vendosën gardhe metalike dhe kontejnerë mbeturinash në vende të ndryshme në Beograd dhe gjetkë në të gjithë vendin të dielën në mbrëmje, duke përfshirë një urë kyçe mbi lumin Sava në kryeqytet. Protestuesit thonë se planifikojnë të kthehen të hënën, raporton AP.

Policia ka thënë në një deklaratë se një numër personash janë ndaluar pa specifikuar se sa. Pamjet e postuara në mediat sociale tregonin automjete policie që lëviznin me shpejtësi të lartë përmes një bllokade në një rrugë të Beogradit dhe njerëz që iknin në panik.

Bllokadat janë pjesë e mospajtimit të vazhdueshëm kundër qeverisë së presidentit Aleksandër Vuçiq që filloi pasi një stehë betoni në një stacion treni u shemb në qytetin Novi Sad në nëntor, duke lënë të vdekur 16 persona.

Protestuesit kanë kërkuar drejtësi për viktimat e shembjes së strehës, aksident të cilin shumë në Serbi e konsiderojnë si pasojë e neglizhencës së nxitur nga korrupsioni në projektet shtetërore të infrastrukturës.

Dhjetëra mijëra njerëz janë mbledhur të shtunën në një protestë të udhëhequr nga studentët në Beograd për të kërkuar zgjedhje të parakohshme, që shpresojnë se do të rrëzojnë qeverinë e krahut të djathtë të Vuçiqit. Grupe protestuesish u përleshën me policinë pasi pjesa zyrtare e tubimit përfundoi.

Dhjetëra u arrestuan më vonë.

Vuçiqi ka refuzuar të shpallë zgjedhjet, të cilat janë planifikuar të mbahen në vitin 2027. Studentët dhe profesorët e universitetit janë një forcë e rëndësishme pas gati tetë muajsh protestash pothuajse të përditshme dhe Vuçiqi i ka akuzuar ata për "terror" dhe përpjekje për të shkatërruar vendin.

Gati 50 oficerë dhe 22 protestues janë lënduar në përleshjet e së shtunës vonë. 

Policia e trazirave ka përdorur shkopinj gome, sprej dhe mburoja për t'u mbrojtur ndaj demonstruesve që hodhën gurë dhe objekte të tjera drejt kordoneve të policisë. 

Gati 40 persona po përballen me akuza penale për përleshjet, ka njoftuar policia.

Autoritetet kanë ndaluar gjithashtu të paktën tetë studentë universiteti për akte të dyshuara kundër rendit kushtetues dhe sigurisë, duke i akuzuar ata për planifikim sulmesh ndaj institucioneve shtetërore. Protestuesit kanë kërkuar lirimin e tyre të menjëhershëm.

Protestat në Serbi mund të jenë përpjekje për “revolucion me ngjyra”, thotë Kremlini

5 o. më parë / 30 qer 2025 13:55
Dmitry Peskov

Photo: Associated Press

Kremlini ka thënë të hënën se nuk mund ta përjashtonte mundësinë që protestat antiqeveritare në Serbi, një aleat i ngushtë i Rusisë, të mund të ishin një përpjekje për "revolucion me ngjyra”.

Pavarësisht kësaj, Kremlini është i sigurt se udhëheqja serbe mund të rikthejë qetësinë, raporton Reuters.

Policia serbe është përleshur të shtunën me protestuesit antiqeveritarë që kërkonin zgjedhje të parakohshme dhe fundin e sundimit 12-vjeçar të presidentit, Aleksandar Vuçiç.

"Pavarësisht faktit se Serbia është, sigurisht, nën një presion të paparë, nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që atje po përdoren metoda të njohura për të provokuar ‘revolucione me ngjyra’", u ka thënë gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

"Nuk kemi dyshim se udhëheqja aktuale serbe do të jetë në gjendje të rikthejë rendin dhe ligjin në republikë në një të ardhme shumë të afërt", ka shtuar ai.

Rusia tradicionalisht e ka konsideruar Vuçiqin si një aleat të ngushtë dhe udhëheqësi serb ishte në Moskë më 9 maj për të parë paradën ushtarake në Sheshin e Kuq të mbajtur për të përkujtuar fitoren sovjetike ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Disa muaj protestash në të gjithë Serbinë, përfshirë mbylljen e universiteteve, e kanë tronditur Vuçiqin, mandati i dytë i të cilit përfundon në vitin 2027, kur janë planifikuar edhe zgjedhjet parlamentare.

Vuçiqi ka thënë se "fuqi të huaja" të paspecifikuara qëndrojnë pas protestës të së shtunës dhe se protestuesit kanë tentuar të "rrëzonin Serbinë", por kanë dështuar.

Vuçiqi komenton bllokadat në Beograd, përmend edhe Kosovën

7 o. më parë / 30 qer 2025 12:08
Aleksander Vuciq

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka komentuar bllokadat e vendosura nga protestuesit të dielën vonë në Beograd, duke thënë se luftën pas ndeshjes e kërkojnë gjithmonë ata që kanë humbur.

Duke folur nga Sevilla ku po merr pjesë në Konferencën e 4-të Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Financimin e Zhvillimit, Vuçiqi ka thënë se shteti e ka bërë punën e tij dhe do ta bëjë çdo ditë. 

Ai ka përmendur edhe Kosovën.

"A është ky një program për të ardhmen, kontejnerë në rrugë dhe trazira? Një vazhdim i atij programi për Serbinë gjenocidale dhe Kosovën e pavarur. Njerëzit nuk duhet të shqetësohen, shteti ka forcë të mjaftueshme dhe do të sigurojë mbizotërimin e rendit dhe ligjit”, ka thënë Vuçiq.

"Shoh që njerëzit kanë frikë nga këto bllokada, por i bëjnë të gjitha nga pafuqia, e dinë se kanë humbur. Edhe në futboll, ai që humbet është gjithmonë i zemëruar, ata që humbën ndeshjen janë gjithmonë duke kërkuar një luftë", ka shtuar presidenti serb. 

Ai ka thënë se policia e ka bërë punën e saj në mënyrë të shkëlqyer dhe profesionale, me përdorim minimal të forcës.

Vuçiç theksoi se policia është nën presion të madh dhe se është shumë e vështirë për ta, sepse duhet të kujdesen për ta dhe të përpiqen të mos i lëndojnë.