Koalicioni VLEN ka fituar katër komuna deri më tash në balotazhin e mbajtur të dielën në Maqedoninë e Veriut.
Dibra në katër vjetët e ardhshme do të udhëhiqet nga kandidati i koalicionit VLEN, Fisnik Vela.
Ai në raundin e dytë mori më shumë vota se kandidati i pavarur, Ramadan Imeri.
Fisnik Vela ka marrë 4 mijë e 362 vota ose 52.46 për qind, kur Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka numëruar të gjitha 27 vendvotimet në Dibër, raporton KosovaPress.
Ndërsa kandidati i pavarur Ramadan Imeri ka marrë 3.671 vota ose 44.15 për qind.
Kandidati i këtij koalicioni, Blerim Islami, ka fituar bindshëm në raundin e dytë ndaj kundërkandidatit të tij nga radhët e koalicionit Maqedonia Jote, udhëhequr nga VMRO-DPMNE, Sasho Velanovski në Dollnen.
Blerim Islami ka marrë 3 mijë e 979 vota ose 57.38 për qind, kur Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka numëruar të gjitha 40 vendvotimet në Dollnen, raportoi KosovaPress.
Sot në 33 komuna, përfshirë qytetin Shkup, u mbajtën zgjedhjet e raundit të dytë për kryetar të komunave në Maqedoninë e Veriut.