Koalicioni VLEN ka mbajtur një konferencë për media pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut.
Izet Mexhiti, kandidat i VLEN-it për kryetar të komunës së Çairit, ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë në fitoren e këtij koalicioni në raundin e parë të zgjedhjeve, raportoi KosovaPress.
“Vota e sotme për ne është kurorëzim i rrugës që e nisëm para një viti me dinjitet e besnikëri. Atëherë shqiptarët kërkuan ndryshim, shpresë, dinjitet dhe sot ajo kërkesë u vulos me votën për VLEN-in. Sot qytetari u shpreh qartë, mjaft më me mashtrime, mjaft më me folklor dhe mjaft më me premtime boshe. Oferta jonë fitoi, sepse ne ofruam punë, vizion dhe besim”, ka thënë Mexhiti.
Ai ka theksuar se pret që VLEN-i të fitojë katër deri në pesë komuna dhe të udhëheqë shumicën e komunave me shumicë shqiptare në nivelin qendror. Megjithatë, ai nuk ka dhënë detaje se për cilat komuna bëhet fjalë.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka njoftuar se rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale do të shpallen pas mesnatës.
Ndërkohë sipas votave të para të numëruara deri më tash në komunën e Çairit prin Izet Mexhit nga VLEN me 56.74% ose 2.179 vota. Pason Bujar Osmani nga Aleanca Kombëtare për Integrim AKI me 35.81% ose 1.375 vota. Deri më tash janë numëruar 12 nga gjithsej 86 vendvotime për Çair. /KSP
