Rajon

Vuçiqi niset për në Moskë

Aleksandar Vuçiq dhe Vladimir Putin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka udhëtuar të martën për në Moskë, ku më 9 maj do të marrë pjesë në Paradën e Fitores dhe do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin.

Vizita e tij ndodh në një moment të kritikave të shtuara nga Bashkimi Evropian për mungesën e reformave kyç, mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe, sipas vlerësimeve nga Brukseli, largimin gjithnjë më të theksuar të Serbisë nga vlerat evropiane.

Vuçiq u shfaq për herë të parë në publik këtë mëngjes, pasi gjatë fundjavës ndërpreu vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të arsyeve shëndetësore. Para nisjes për në Moskë, ai u takua në Beograd me ambasadorin rus, Aleksandar Bocan-Harçenko, shkruan RTK.

Edhe pse konfirmimi zyrtar nga Presidenca e Serbisë ende nuk është publikuar, disa media në Beograd raportojnë se Vuçiq tashmë është nisur drejt kryeqytetit rus. Pjesëmarrja e tij në Paradën e Fitores, me të cilën shënohet 80-vjetori i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, do të shoqërohet edhe me një takim bilateral me presidentin Putin, ka konfirmuar ndihmësi i presidentit rus, Jurij Ushakov.

Sipas tij, do të diskutohet për marrëdhëniet dypalëshe dhe situatën në Ballkanin Perëndimor.

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, gjatë një debati në PE deklaroi se “deklaratat për përkushtimin ndaj integrimeve evropiane janë të pabesueshme”, ndërkohë që planifikohet vizita në Moskë dhe nënshkrimi i marrëveshjeve të reja energjetike me Rusinë.

Pavarësisht kritikave, Vuçiq do të marrë pjesë në kremtimin në Moskë, ndërsa ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se presidenti më vonë “do të tregojë detajet mbi sjelljen e shteteve të ndryshme ndaj Serbisë”.

Analistët politikë vlerësojnë se Vuçiq me këtë vizitë dëshiron të tregojë se ai nuk është i varur vetëm nga BE-ja, por se ka edhe partnerë alternativë, si dhe se këtë vizitë e përdor për të forcuar pozicionin e tij në politikën e brendshme.

Vlerësohet gjithashtu se vizita në Moskë ndodh në një moment kur Brukseli po shpreh mbështetje për protestat studentore në Serbi dhe po i bën thirrje pushtetit të përmbushë reformat kyçe, përfshirë sundimin e ligjit dhe kushtet zgjedhore.

Serbia mbetet i vetmi vend kandidat për anëtarësim në BE që nuk e ka harmonizuar politikën e saj të jashtme me sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, duke vazhduar të ruajë lidhje të ngushta politike dhe energjetike me Kremlinin.