Reklama

AKP shpall shitjen e radhës SHAL 74

AKP

Agjencia Kosovare e Privatizimit shpall shitjen e re të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore në likuidim - ShAL 74 dhe fton të gjithë investitorët e interesuar që të marrin pjesë dhe të konkurojnë me ofertat e tyre për blerjen e aseteve të tenderuara.

Janë gjithsej 137 asete të ndara sipas kategorive dhe potencialit zhvillimor, prej të cilave ka njësi bujqësore, shumë prej tyre me tokë të cilësisë së lartë për bujqësi intensive dhe pemëtari; njësi rezidenciale, ideale për zhvillim të banimit urban e rural; asete me funksione të ndryshme komerciale, të përshtatshme për investime afariste; depo me potencial për shfrytëzim logjistik apo magazinues dhe lokale afarist, që përfaqësojnë mundësi të rralla për zhvillim biznesi.

Asetet janë të shpërndara në 6 rajonet e Kosovës: në regjionin e Prishtinës ku përfshihen Podujeva, Lipjani, Graçanica shiten 43 prona, në regjionin që përfshinë Gjakovën, Istogun e Klinën janë në shitje 31 asete, në rajonin e Gjilanit 30 prona të ndara në komunat e Ferizajit, Kaçanikut, Hanit të Elezit, Parteshit, Ranillugut, pastaj në rajonin e Prizrenit janë në shitje 19 prona përfshi ato në qytetet e Rahovecit e Malishevës dhe në rajonin e Mitrovicës shiten 14 prona të ndara disa në këtë qytet e disa në Skenderaj.

Kjo valë e shitjeve synon të nxisë zhvillimin ekonomik përmes krijimit të mundësive konkrete për investime në bujqësi, banim, tregti dhe shërbime, kurse pronat janë me sipërfaqe që variojnë nga njësi të vogla për investitorë individualë, deri në prona të mëdha që mund të transformohen në qendra zhvillimi rural, agrobiznesi apo projekte banimi.

Ofertat e mbyllura për njësitë/asetet që janë në shitje përmes Shitjes së Aseteve me Likuidim nr.74 duhet të dorëzohen në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand”, në Prishtinë me datën 23.07.2025, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, të shoqëruara edhe nga depozita e ofertës dhe tarifa për paraqitjen e ofertës, ashtu siç është parashikuar për secilën njësi. 

Kurse hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30. Gjatë kësaj periudhe palët e interesuara e kanë mundësinë që të marrin informata më të detajuara si dhe t’i vizitojnë për së afërmi pronat e ofruara për shitje.

AKP fton të gjithë të interesuarit, individë, biznese, diasporë dhe investitorë të huaj, që të aplikojnë përmes një procesi transparent dhe të mbikëqyrur dhe të mos e humbin këtë mundësi për të investuar në prona me vlerë dhe me potencial të madh zhvillimor. 

Për më shumë informata, palët e interesuara mund të vizitojnë faqen www.pak-ks.org, të kontaktojnë AKP-në, Rruga “Dritan Hoxha Nr.55”, 10000 Prishtinë, Kosovë, apo përmes email adresës [email protected].