“AMRE” është më shumë se një kompani mobilierie, është një histori suksesi që fillon me familjen Spahiu, me prejardhje nga Gjilani, e cila operon në dy shtete, Kosovë e Itali.
Me një përvojë mbi 30-vjeçare në tregun italian dhe me 26 vjet prezencë në Kosovë, “AMRE” është bërë sinonim i elegancës dhe kualitetit në produkte.
Kompania tani ka dy pika në Kosovë: njërën në magjistralen Prishtinë–Lipjan dhe tjetrën në periferi të Gjilanit, e cila u hap të premten e javës që shkoi.
Kjo ngjarje mblodhi familjarë, miq, figura publike, përfaqësues të bizneseve të tjera, si dhe përfaqësues nga Ambasada italiane në Kosovë, duke dëshmuar rëndësinë që “AMRE” ka në tregun vendor dhe ndërkombëtar.
Pas hapjes së pikës së re pronari i kompanisë, Rrahim Spahiu, ka theksuar se “AMRE” është kompania e vetme në Kosovë që bashkëpunon ekskluzivisht me prodhues italianë, duke ofruar mbi 80 brende prestigjioze të mobilieve nga Italia.
Kompania “AMRE” aktualisht numëron 70 të punësuar.
“Pas më shumë se 30 vjet përvoja në mobilieri. Sot AMRE është një sinonim i kualitetit, elegancës dhe stilit Italian. Që nga fillimi kem filluar ekskluzivisht me vendet më prestigjioze italiane, duke sjell në çdo shtëpi luksin që vetëm dizajni italian mund ta ofroj. Jem krenar që jem kompania e parë kosovare që ka ndërtuar një urë bashkëpunimi mes Kosovës dhe Italisë në industrinë e mobileve, një rruge që po ndiqet nga shume kompani në vendin tonë. AMRE mbetet e vetmja kompani në Kosovë që bashkëpunon ekskluzivisht vetëm me prodhuesit italian të mobileve, kjo është ajo që na dallon dhe na bën të qëndrojmë besnik ndaj cilësisë dhe traditës”, ka deklaruar Spahiu.
Produktet e saj, veçanërisht kuzhinat, eksportohen edhe në tregun evropian.
Çmimet e produkteve janë të përshtatura për tregun vendor, duke bërë që luksit italian t’i qaset çdo familje në Kosovë.
“E kam krijuar edhe një kompani tjetër, e cila është prodhuese, ku u kem dhënë mundësi rinisë që të mos shkojnë në vendet evropiane, por të punojnë në Kosovë dhe të jetojnë në vendin e tyre. Kem kushte të mira të punës. Mundohem edhe për klientët që me qenë gjithmonë të kënaqur me ne”, ka thënë Spahiu.
“Çmimet janë sipas mundësive dhe tregut të Kosovës. E mira jonë është se si kompani edhe eksportojmë për tregun e jashtmen të Evropës. Kuzhinat janë prej produkteve që i eksportojmë më së shumti”, ka shtuar ai.
Rrahim Spahiu, si një mërgimtar me mbi 25 vjet jetë në Itali, është i kënaqur me biznesin e tij në vendlindje.
Ai i ka ftuar edhe mërgimtarët e tjerë që të investojnë në Kosovë.
“Unë jam vet mërgimtar, kam jetuar mbi 25 vjet në Itali. Jam kthyer në Kosovë dhe jam shumë i kënaqur që kam investuar në Kosovë dhe jam shumë i kënaqur, që jetoj në vendin tim. U them edhe të tjerëve që jetojnë në mërgim që të investojnë edhe në vendin e tyre në Kosovë”, ka theksuar Spahiu.
Në hapjen e pikës së re mori pjesë edhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, i cili ka theksuar se bizneset e reja kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Gjilani qëndron jashtëzakonisht mirë me biznese. Një gjë e mirë është se po kem kthim të bashkatdhetarëve, të cilët po kthehen në Kosovë e po investojnë në Kosovë. Dukurinë dhe kapitalin, bashkatdhetarët po e sjellin në vend, dhe kjo ofron vende të reja të punës dhe rritje të ekonomisë së vendit”, ka deklaruar Hyseni.
Duke ndjekur vizionin e rritjes, “AMRE” synon së shpejti të hapë pika të reja edhe në Prizren dhe Pejë, me synimin që të jetë prezent në të gjithë territorin e Kosovës.