Herën e fundit kur regjisori Christopher Nolan solli një film epik në kinema, “Oppenheimer” në vitin 2023, së bashku me filmin tjetër të regjisores Greta Gerwig, ”Barbie”, i patën dhënë industrisë së filmit një shtysë të jashtëzakonshme, duke rikthyer audienca masive në sallat e kinemasë.
A mund ta përsërisë këtë efekt filmi “The Odyssey” i Nolanit në vitin 2026, së bashku me disa projekte të tjera të mëdha?
Sipas BBC-së industria shpreson shumë se filma të shumëpritur si “Spider-Man 4” me aktorin Tom Holland, “Super Mario Brothers 2” dhe “The Devil Wears Prada 2” do të sjellin fitime rekord në arkën filmike. Pa harruar edhe “Avengers: Doomsday” dhe filmin e tretë të sagës “Dune”.
Së bashku me projekte që synojnë çmime Oscar, si “Hamnet”, viti 2026 pritet të jetë vit i madh për një industri që ende po ndien pasojat e izolimit gjatë pandemisë.
Ja 11 filmat që sipas BBC-së pritet të bëjnë bujë në vitin 2026:
“Hamnet”
I bazuar në romanin e vlerësuar me çmime të Maggie O’Farrell, “Hamnet” ndjek marrëdhënien mes William Shakespearet (rolin e të cilit e luan Paul Mescal) dhe gruas së tij Agnes (rolin e së cilës e luan Jessie Buckley). Filmi trajton ngjarjet tragjike që godasin çiftin dhe që më vonë frymëzojnë veprën e famshme “Hamlet”.
“28 Years Later: The Bone Temple”
Pjesa e katërt e serisë që nisi në vitin 2002 vazhdon historinë e filmit “28 Years Later” të vitit 2025. Spike (rolin e të cilti e luan Alfie Williams) përfshihet në një përballje me një grup vdekjeprurës të udhëhequr nga Jimmy Crystal (rolin e të cilit e laun Jack O’Connell), ndërsa Dr. Kelson (rolin e të cilit e luan Ralph Fiennes) hyn në një lidhje të re që mund të ketë pasoja shkatërruese.
“Is This Thing On?”
I frymëzuar nga karriera e komedianit britanik John Bishop, ky është filmi i tretë i drejtuar nga aktori i njohur Bradley Cooper pas filmave “A Star Is Born” dhe “Maestro”. Historia ndjek një burrë që papritur provon stand-up comedyn dhe zbulon se ka talent për t'i bërë njerëzit të qeshin.
“Wuthering Heights”
Me trailera të mbushur me pasion, mall dhe tension seksual të shtypur, ky adaptim është tashmë një nga filmat më të komentuar të vitit 2026. Regjisorja Emerald Fennell, pas suksesit të “Saltburn”, rikthehet me Jacob Elordi në rolin e Heathcliff dhe Margot Robbie si Cathy.
“The Testament of Ann Lee”
Aktorja, Amanda Seyfried, luan rolin e Ann Lee's, figurë reale dhe udhëheqëse e një lëvizjeje fetare të shekullit XVIII, e njohur si Shakerism. Fillimisht, Ann Lee largohet nga jeta që bën dhe udhëton drejt Amerikës, ku qindra ndjekës bashkohen me të.
“Scream 7”
Kevin Williamson, autori i filmit origjinal “Scream”, rikthehet këtë herë si skenarist dhe regjisor. Courtney Cox dhe Neve Campbell kthehen në rolet e Gale Weathers dhe Sidney Prescott, për t’u përballur me një vrasës të ri, që këtë herë kërcënon vajzën e Prescottit.
“The Super Mario Galaxy Movie”
Pas suksesit gjigant të filmit të animuar “The Super Mario Bros. Movie”, që fitoi mbi një miliard dollarë, vazhdimi ishte i pashmangshëm. I bazuar në lojën e vitit 2007, filmi ndjek Marion dhe Luigin në përpjekjen për të shpëtuar Princeshën Peach.
“The Devil Wears Prada 2”
Meryl Streep dhe Anne Hathaway rikthehen 20 vjet pas filmit origjinal që u kthye në klasike. Edhe Emily Blunt dhe Stanley Tucci janë pjesë e vazhdimit. Detajet për ngjarjen mbahen ende sekret, por pritshmëritë janë të larta.
“Star Wars: The Mandalorian and Grogu”
Pas suksesit të madh në televizion, “The Mandalorian” kalon në ekranin e madh, duke u bërë filmi i parë i Star Wars që nga viti 2019. Në film luan edhe Sigourney Weaver.
“Disclosure Day”
Projekti më i ri i Steven Spielbergut është i mbuluar nga misteri. Edhe traileri i shkurtër nuk zbulon shumë, por sugjeron se njerëzimi përballet me prova se nuk është i vetëm në univers. Slogani i filmit pyet: “Nëse do të zbulonit se nuk jemi vetëm, a do t’ju frikësonte kjo?”
“Toy Story 5”
Pas disa zhgënjimeve të “Pixarit” në vitet e fundit, shpresat janë te rikthimi i sagës më të suksesshme.
Tom Hanks dhe Tim Allen rikthehen si Woody dhe Buzz, në një përpjekje për ta rikthyer magjinë e vjetër.