Showbiz

Vdiq legjenda e Hollywoodit, Robert Redford

Robert Redford

Robert Redford (1936-2025)

Foto: Associated Press

Robert Redford, aktori karizmatik dhe regjisori fitues i çmimit “Oscar”, i cili shpesh shmangu imazhin e një “ikone” të Hollywoodit për t’iu përkushtuar kauzave që i kishte për zemër, ka vdekur në moshën 89-vjeçare.

Lajmin e ka konfirmuar përfaqësuesja e tij, Cindi Berger, kryetare dhe drejtuese ekzekutive e agjencisë “Rogers and Cowan PMK”.

“Robert Redford vdiq më 16 shtator 2025, në shtëpinë e tij në Sundance, në malet e Utahs, vendi që ai e donte, i rrethuar nga njerëzit që e donin. Ai do të na mungojë shumë. Familja kërkon privatësi”, ka shkruar Berger në një deklaratë për CNN.

Redford u bë i famshëm me rolet kryesore në filmat klasikë “Butch Cassidy and the Sundance Kid” dhe “All the President’s Men”.

Si regjisor, fitoi vlerësime të mëdha me filma si “Ordinary People” dhe “A River Runs Through It”.

Pasioni i tij për artin e kinemasë e çoi drejt themelimit të “Sundance Institute”, një organizatë jofitimprurëse që mbështet filmin dhe teatrin e pavarur, e njohur sot në mbarë botën për Festivalin e Filmit “Sundance”.

Përveç artit, Redford ishte një ambientalist i përkushtuar.

Ai u vendos në malet e Utahs që në vitin 1961 dhe udhëhoqi përpjekje të shumta për të mbrojtur natyrën.

Disa nga filmat ku ka luajtur Robert Redford