Showbiz

Schwarzenegger dëshiron të bëjë film me djalin dhe dhëndrin

Arnold Schwarzenegger

Aktori legjendar Arnold Schwarzenegger ka shprehur dëshirën për të realizuar një film së bashku me djalin e tij Patrick Schwarzenegger dhe dhëndrin Chris Pratt, i cili është i martuar me vajzën e tij, Katherine, por thekson se kjo mund të ndodhë vetëm nëse skenari është vërtet i mirë.

“Është një nga ato gjëra që, nëse ka një skenar të shkëlqyer, atëherë sigurisht që do ta bënim. Por nuk mund t’i sajojmë këto gjëra. Nuk mund të thuash thjesht: 'OK, le t’i vendosim këta të tre bashkë në një film' pa pasur një skenar të madh”, ka thënë aktori për E!News.

Ylli i serialit “Fubar” u ka bërë thirrje regjisorëve që të marrin hapin e parë.

“Nuk keni nevojë të flisni për këtë, thjesht bëjeni”, ka thënë aktori 77-vjeçar.

Schwarzenegger, i cili ka pesë fëmijë: Katherine (35 vjeçe), Patrick (31 vjeç), Christina (33 vjeçe), Christopher (27 vjeç) me ish-bashkëshorten Maria Shriver, dhe Joseph Baena (27 vjeç) me Mildred Baena, është i hapur edhe për projekte të tjera interesante. Ai u pyet nëse do të donte të luante në serialin e njohur “The White Lotus”, ku djali i tij Patrick luajti në sezonin e fundit.

“Sa herë që shoh diçka të mirë, jam i interesuar. Do të shohim”, u përgjigj ai.

I pyetur për karrierën e djalit të tij, Schwarzenegger u shpreh shumë krenar për të.

“Patrick gjithmonë e ka dashur botën e kinemasë. Ai ka kaluar shumë kohë në setet e filmave të mi kur ishte i vogël. I bënte detyrat në sheshxhirim dhe më shikonte teksa xhiroja skena. Mendoj se që atëherë lindi dëshira e tij për këtë profesion”, ka treguar ylli.

Nga ana tjetër, Schwarzenegger është i entuziazmuar edhe për sezonin e dytë të serialit të tij “Fubar”, edhe pse tani e ka më të vështirë të përballojë skenat aksion.

“Sezoni i dytë do të ketë shumë aksion të madh dhe momente shumë qesharake. Skenat aksion janë shumë, shumë të vështira për t’u realizuar, sidomos kur xhirohen natën. Por është shumë argëtuese”, ka thënë ai.

Schwarzenegger më herët pati pranuar se ishte befasuar kur e kishte parë Patrickun në një skenë nudo në “The White Lotus”.

Gjatë një interviste të përbashkët për emisionin “Actors on Actors”, në kuadër të revistës Variety, ai i tha djalit të tij se nuk mund ta besonte kur e pa.

“Nuk mund ta besoja. I thashë vetes: ‘Po e shikoj serialin tënd dhe shoh të pasmet e tua aty’. Dhe papritur, shoh edhe pjesën tjetër. Çfarë po ndodh këtu? Kjo është çmenduri”, ka thënë ai.

Por pastaj, me humor, Schwarzenegger ka shtuar se edhe ai ka bërë të njëjtën gjë te filmat “Conan” dhe “Terminator”, ndaj nuk do të ankohet.

“Por ishte një surprizë për mua që po i ndiqje kaq nga afër hapat e mi”, ka thënë tutje ai.