Showbiz

Ashton Kutcherin e pushoi nga puna Tom Fordi, i tha se ishte mbipeshë për pasarelën e “Guccit”

Ashton Kutcher

Ashton Kutcher

Foto: Associated Press

Aktori i mirënjohur, Ashton Kutcher, ka treguar se si disenjatori i njohur, Tom Ford, e ka pushuar nga puna duke i thënë se është pesha e tij ishte mbi standardin e kërkuar për të dalë në pasarelën e brendit të veshjeve “Gucci”.

Ylli i Hollywoodit, e ka nisur karrierën si model dhe ka ecur nëpër pasarelat e brendeve të njohura evropiane, para se të merrte rol në projektin filmik “That 70’ Show” e të kalonte në televizion.

Ai ka treguar për Entertainment Tonight se kur Ford ishte përgjegjës për brendin e mirënjohur italian të veshjeve, “Gucci”, e pati pushuar nga puna, duke thënë se është mbipeshë.

“Shkova në Itali, për të sfiluar në pasarelën e ‘Guccit’, dhe Ford më veshi me të brendshme ngjyrë rozë dhe tha: ‘Është mbipeshë’. E pastaj më pushuan nga puna”, ka thënë Kutcher.

Ai ka thënë se që atëherë ka folur me Fordin për incidentin dhe të dy e shikojnë anën komike të historisë.

“Tash qeshi me të për atë histori, e më thotë: ‘Ti ishe mbipeshë’, kurse unë i them: ‘Njeri, unë isha nën peshë, çka je duke thënë?’”, ka treguar tutje Kutcher.

Aktori ka treguar se disenjatori kishe disa gjëra specifike që donte t'i shihte, që nga këndvështrimi i tij, dukeshin të duhurat.

“Kjo nuk do të thoshte se unë nuk vlej si model, por vetëm se nuk isha ajo që ai kërkonte në atë moment”, ka shpjeguar Kutcher.

Ai ka thënë gjithashtu se edhe disa nga njerëzit më të bukur në botë kanë përvoja të ngjashme, që në ndonjë moment përballen me diçka që i bën të ndihen të pasigurt për pamjen.

“Nëse shikohesh shumë në pasqyrë, ke për të gjetur diçka që nuk të pëlqen, ose që mendon se mund ta përmirësosh, ose për të cilën mendon se mund të ishte ndryshe”, ka thënë ai.

Kutcher më herët pati thënë se për shkak të dukjes ka fituar e edhe ka humbur role.

“Mendoj se në çdo rol që merr, ka të bëj me mënyrën se si dukesh apo jo? Ka rëndësi të madhe se si e përfaqëson atë karakter. Prandaj ka role që kam marrë për shkak të pamjes dhe ka role që nuk i kam marrë për shkak të pamjes. Ndonjëherë nervozohesh... provon ta tregosh një histori përmes disa fotografive dhe duhet të krijosh ndjenja për publikun”, ka thënë ndër të tjera aktori.