Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Autoritetet e Los Angelesit po shqyrtojnë akuza të reja ndaj P.Diddyt për sulm seksual

P.Diddy

P.Diddy

Foto: Associated Press

Autoritetet në Los Angeles po shqyrtojnë akuza të reja për sulm seksual ndaj reperit dhe producentit Sean Combs, i njohur si P.Diddy, i cili aktualisht po vuan një dënim me burgim, ka raportuar The Guardian.

Zyra e Prokurorit të Qarkut ka konfirmuar se policia e Los Angelesit (LAPD) dhe Zyra e Sherifit (LASD) kanë dorëzuar dy hetime të ndara për një viktimë dhe se rasti është në shqyrtim.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Akuzat janë ngritur nga producenti muzikor Jonathan Hay, i cili pretendon se është sulmuar seksualisht nga Combs gjatë vitit 2020.

“Si i mbijetuar i veprimeve që përfshijnë Sean Diddy Combs dhe Christopher CJ Wallace, e shoh konfirmimin e rrëfimit tim nga LAPD-ja dhe Zyra e Prokurorit të Los Angelesit si një moment shumë të rëndësishëm. Ky zhvillim përfaqëson një hap të madh në përpjekjen time për përgjegjësi të plotë. Drejtësia po fiton”, ka thënë Hay.

Sipas padisë, Hay po punonte në një projekt për trashëgiminë e reperit të ndjerë The Notorious B.I.G. kur Combs dyshohet se u soll në mënyrë të papërshtatshme para tij dhe më pas e sulmoi seksualisht.

Hay ka deklaruar se përjetoi pasoja të rënda psikologjike pas ngjarjes.

“Ishte tradhtia dhe poshtërimi më i madh që kam përjetuar. Rashë në depresion të thellë dhe pata mendime vetëvrasëse”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, avokatët e Christopher Jordan Wallace, djalit të The Notorious B.I.G., i kanë mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si “absurde dhe të pabaza”.

Wallace ka ngritur gjithashtu një padi për shpifje ndaj Hay.

Combs, 56 vjeç, po vuan aktualisht një dënim me 50 muaj burgim për akuza që lidhen me transportimin e grave për prostitucion. Nëse prokurorët në Los Angeles vendosin të ngrenë akuza të reja, ai mund të përballet me një tjetër proces gjyqësor.