Showbiz

Babai i Beyoncés: E kuptova që do të bëhej superyll që kur ishte në shkollë fillore

Mathew Knowles

Mathew Knowles

Foto: Associated Press

Mathew Knowles, babai i këngëtares së njohur, Beyoncé, dhe ish-menaxheri i saj, ka thënë se e ka kuptuar që vajza e tij do të bëhej yll i madh i muzikës që kur ajo performoi për herë të parë në një shfaqje talentesh në shkollën fillore.

“Ndërsa po përgatitej për të performuar, Beyoncé më tha: ‘Dua të nxitohem ta marr çmimin prej 100 dollarësh dhe kupën time… e di që do të fitoj.’ Pastaj doli në skenë dhe u transformua në një tjetër njeri. Në atë moment e kuptova që ajo e donte me gjithë shpirt këtë gjë”, ka thënë Knowless në një intervistë për The Times.

73 vjeçi ka qenë menaxheri i Beyoncés gjatë karrierës së saj me grupin “Destiny’s Child”, por edhe në hapat e parë të karrierës solo. Ai e konsideron veten si një nga menaxherët më të suksesshëm në historinë e muzikës.

Mathew Knowles dhe Beyoncé

“Pas 21 vjetësh si menaxher i Beyoncés, buzëqesh sa herë që shoh se edhe sot revistat e muzikës flasin për 20 këngët e saj më të mira pop, dhe 70 për qind e tyre janë nga katër albumet e para, për të cilat kam qenë unë pjesë e ekipit”, ka thënë tutje Knowles.

Ai ka thënë se ndihet krenar kur sheh se sa e suksesshme ka qenë puna e tij që ka bërë bashkë me vajzën ndër vite.

“Të dish që kam qenë pjesë e këtij suksesi, që i mësova rëndësinë e zhvillimit të markës, dhe që 30-40 për qind e ekipit të saj janë njerëz që i kam punësuar para 30 vjetësh... kjo më bën të ndjehem krenar dhe mirënjohës. Kam ndërtuar rrugën e suksesit për Beyoncén, dhe kjo më jep një ndjesi shumë të mirë”, ka thënë Knowless.

Megjithatë, ai është shprehur se shpesh ndihet i nënvlerësuar dhe se nuk dëshiron të njihet vetëm si “babai i Beyoncés”.

“Ndonjëherë dua ta ndryshoj bisedën dhe t’i tregoj botës tërësinë e gjërave të mrekullueshme që kam bërë, sepse kam bërë shumë më tepër se Beyoncé dhe ‘Destiny’s Chilld’. Nuk flasim për disa nga artistët e tjerë me të cilët kam punuar. U bëra menaxher i tyre sepse isha i kualifikuar, jo vetëm sepse isha babai i dikujt të famshëm”, ka theksuar ai.

Knowles ka folur me shqetësim për paragjykimet racore që, sipas tij, kanë ndikuar në mënyrën si e ka trajtuar industria. Ai ka thënë gjithashtu se mendon se do të vlerësohej më shumë po të ishte i bardhë.

“Po të kisha të njëjtin sukses, por të isha me ngjyrë tjetër të lëkurës, do të kisha marrë më shumë vlerësime dhe çmime si menaxher dhe drejtues i suksesshëm”, ka thënë ai.