Showbiz

Bad Bunny u përgjigjet kritikave për performancën në “Super Bowl”

Bad Bunny

Bad Bunny

Foto: Associated Press

Këngëtari Bad Bunny, është rikthyer në skenën e spektaklit të  famshëm “Saturday Night Live!” (SNL).

Fituesi i trefishtë i çmimit “Grammy” u shfaq për herë të dytë si prezantues në mbrëmjen e së shtunës, ku foli me humor për kritikat që mori pasi u zgjodh për të performuar në spektaklin e mirënjohur “Super Bowl Halftime Show 2026”, ka raportuar The Hollywood Reporter.

Artisti portorikan u tall me komentet konservatore për performancën e tij të ardhshme, duke thënë se të gjithë janë të lumtur për këtë, “madje edhe Fox News!”

“Ndoshta nuk e dini, por unë do të performoj në ‘Super Bowl Halftime Show’. Dhe jam shumë i lumtur për këtë, dhe mendoj se të gjithë janë të lumtur për mua”, ka thënë ai, ndërsa publiku shpërtheu në duartrokitje. Ai vazhdoi me shaka: “Edhe Fox News!”.

Pastaj SNL shfaqi një montazh me segmente të përziera ku dukej sikur prezantuesit e Fox News thoshin: “Bad Bunny është muzikanti im i preferuar dhe duhet të jetë presidenti i ardhshëm!”.

“Jam shumë i emocionuar që do të performoj në ‘Super Bowl’. E di që njerëzit në mbarë botën që e duan muzikën time janë po aq të lumtur sa unë, sidomos latinët që kanë punuar për të hapur dyer”, ka thënë këngëtari.

Ai ka shtuar se kjo nuk është fitore vetëm për të, por për të gjithë latinët.

“Gjurmët dhe kontributi ynë në këtë vend nuk do të fshihen kurrë”, ka thënë Bad Bunny në gjuhën spanjishte.

Në fund, u kthye në anglisht me humor: “Nëse nuk e kuptuat çfarë thashë, keni katër muaj kohë ta mësoni”.

Në pjesën e parë të monologut u shfaq një video e aktorit Jon Hamm (të cilin ai e quajti me shaka “Juan Jamón”) duke kërcyer në një nga koncertet e tij.

Kamerat e SNL e fokusuan më pas Hammin në publik, duke e bërë skenën edhe më komike.

Në hapjen e episodit, artisti, Colin Jost luajti rolin e Sekretarit të Luftës, Pete Hegseth, duke bërë shaka se ushtria amerikane do të ndiqte standardet e larta të vendosura nga presidenti Donald Trump.

“Ushtria jonë tani do të ketë të njëjtat rregulla si çdo festë e mirë universiteti: pa vajza të shëndosha. Dhe nëse je djalë i shëndoshë, atëherë duhet të jesh shumë qesharak!”, ka thënë ai.

Në skenë u rikthye edhe imitimi i Trumpit nga artisti James Austin Johnson.

“Jam thjesht këtu për të mbikëqyrur SNL-in, të sigurohem që të mos thonë asgjë shumë të keqe për mua”, ka thënë ia.


Trump-i satirik përmendi shkurt edhe polemikat për “Riyadh Comedy Festival”, duke thënë me shaka se “jam i befasuar që Colin është këtu, mendova se ishte me shokët e tij në festivalin e komedisë në Rijad”.

Këshilltari i Trumpit, Corey Lewandowski, zgjedhjen e Bad Bunnyt si artist për performancën në “Super Bowl”, e quajti “turpëruese” dhe e akuzoi se ai “e urren Amerikën”, duke sugjeruar se kishte shumë “grupe muzikore dhe artistë të tjerë të mëdhenj që mund të performonin në këtë ngjarje”.

“Nëse ka të huaj të paligjshëm, nuk më intereson nëse është koncert për Johnny Smith, Bad Bunny apo dikë tjetër, ne do ta zbatojmë ligjin kudo sepse duam që amerikanët të jenë të sigurt. Ky është urdhër i presidentit. Nëse jeni në këtë vend në mënyrë të paligjshme, bëni vetes një të mirë: shkoni në shtëpi”, ka shtuar ai.

Ai deklaroi se agjentët e ICE (shërbimi i emigracionit) do të jenë të pranishëm në ngjarje. Edhe Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, konfirmoi se agjentët do të jenë “kudo nëpër stadium”.

Vetë Bad Bunny kishte folur më parë për shqetësimet e tij ndaj ICE.

“Ka pasur shumë arsye pse nuk performova në SHBA, dhe asnjëra nuk ishte nga urrejtja, kam performuar atje shumë herë dhe gjithmonë me sukses. Por ishte edhe çështja e ICE, mund të ndodhë që të jenë jashtë koncertit tim. Ishte diçka që na shqetësonte seriozisht”, pati thënë ai.