Mysafir special ishin Lady Gaga, Ricky Martin si dhe yje të tjerë
Dielli po perëndonte
Nga një ishull i vogël i Karaibeve me histori të ndërlikuar koloniale, deri në skenën më të madhe sportive në SHBA: artisti i lindur me emrin Benito Antonio Martínez Ocasio solli kulturën e Puerto Ricos në stadiumin Levi’s në Santa Clara, në një moment historik për komunitetin latin.
Ai e nisi performancën me hitet e tij të mëdha si “Tití Me Preguntó” dhe “Yo Perreo Sola”, duke u rishfaqur mbi “casitan” (shtëpizën) e rezidencës së tij në Puerto-Rico. Në festën “pari de marquesina” (në oborrin e shtëpisë) ishin të pranishëm emra si Cardi B, Jessica Alba, Pedro Pascal, Karol G, Young Miko, Ronald Acuña Jr., Alix Earle dhe Dave Grutman.

Më pas, ai theu çatinë e shtëpisë që ishte pjesë e skenës, ndërsa për disa sekonda u dëgjua kënga “Gasolina” e këngëtarit Daddy Yankee, një homazh për artistët portorikanë që i hapën rrugën suksesit global të muzikës reggaeton dhe vetë karrierës së tij.
“Mi nombre es Benito Antonio Martínez Ocasio. Y si hoy estoy aquí en el ‘SuperBowl 60’, es porque nunca, nunca dejé de creer en mí y tú también deberías de creer en ti, vales más de lo que piensas”, u prezantua ai në spanjisht para turmës.
(Në shqip: “Emri im është Benito Antonio Martínez Ocasio. Dhe nëse sot jam këtu në ‘SuperBowl 60’, është sepse kurrë, kurrë nuk reshta së besuari në veten time, dhe edhe ti duhet të besosh në veten tënde, vlen më shumë sesa mendon”).
Më pas u dëgjuan tingujt e këngës “Monaco”, ndërsa në skenë u shfaq surprizë artistja Lady Gaga, në një skenë dasme të vërtetë, duke kënduar pjesën e saj nga dueti me këngëtarin Bruno Mars “Die with a Smile”, e shoqëruar nga grupi salsa Los Sobrinos. Fustani i saj kishte të qëndisur magan, lulen kombëtare të Puerto-Ricos. Ndërsa ata performonin, çifti në skenë u martua, ndërsa Benito shërbeu si dëshmitar dhe firmosi certifikatën.

Kjo i dha atij kohë për të ndërruar veshjen: me një kostum të bardhë në stil klasik salsero, ai interpretoi “Baile Inolvidable” dhe “NuevaYol” në një skenografi që rikrijonte një festë rruge. Ai madje ngriti një dolli me Toñitan, pronaren e një prej klubeve të fundit sociale portorikane në New York, Caribbean Social Club në Brooklyn.
Një tjetër moment i madh ishte kur këngëtari i mirënjohur, Ricky Martin, interpretoi këngën e Bad Bunnyt “Lo Que Le Pasó a Hawaii” (“Çfarë i ndodhi Hawaiit”), një thirrje për autonominë kulturore të Puerto-Ricos në një epokë që artisti e ka cilësuar si neokoloniale. Martin ishte ulur në një karrige plastike para një peme bananeje, një skenë që pasqyronte kopertinën e albumit të Bad Bunnyt të vitit 2025, “Debí Tirar Más Fotos”.

Pas tij, vendasit e këngëtarit ngjiteshin në shtylla elektrike që shpërthenin, një simbolikë e ndërprerjeve të shpeshta të energjisë dhe krizës së rrjetit elektrik në ishull. Kjo çoi në një interpretim emocional të këngës “El Apagón” (“Ndërprerja e energjisë”), që i referohet uraganit Maria, pasojave të tij dhe zemërimit të vazhdueshëm për ndërprerjet kronike të rrymës.
Teksa këndonte një nga këngët e tij më politike, Bad Bunny, mbante në dorë flamurin e Puerto-Ricos në ngjyrë të kuqe, të bardhë dhe kaltër të çelët, një version që lidhet me lëvizjen për pavarësi.
Gjatë rreth 13 minutave të performancës, e sponsorizuar nga Apple Music dhe Roc Nation, e gjithë vëmendja ishte mbi Benito Antonio Martínez Ocasio.
Ai performoi plotësisht në spanjisht, siç është e incizuar e gjithë muzika e tij, ndërsa i vetmi moment në anglisht ishte pjesa e kënduar nga Lady Gaga.
Në fund, ai foli edhe në anglisht, duke thënë: “God Bless America” (Zoti e bekoftë Amerikën), dhe më pas përmendi disa vende të Amerikës Latine: “Chile, Argentina, Uruguay, Paraguay, Bolivia, Peru, Ecuador, Brazil”, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, duke rikujtuar se “Amerika” nuk është vetëm SHBA, por emri i dy kontinenteve.
“And my motherland, mi patria, Puerto-Rico, seguimos aquí”, tha ai.
(Në shqip: “Dhe atdheu im, Puerto-Rico, ne jemi ende këtu”).
Në ekranin pas tij shkruhej: “The only thing more powerful than hate is love” (“E vetmja gjë më e fuqishme se urrejtja është dashuria”), një referencë direkte ndaj fjalimit të tij në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Grammy” 2026.
Ai e mbylli performancën duke u larguar nga stadiumi i shoqëruar nga muzikantë me güiros (instrument tradicional me kungull të tharë) dhe panderetas (dafina, simbol i muzikës plena).
Prej vitesh, Bad Bunny, është një nga artistët më të dëgjuar në botë. Në vitin 2020 ai kishte performuar në “SuperBowl” krah artisteve të mirënjohura latine Jennifer Lopez dhe Shakira. Por kjo paraqitje e vitit 2026 shënoi kulmin e një dekade të jashtëzakonshme për 31-vjeçarin, i cili vetëm 10 vjet më parë punonte në një supermarket Econo në Puerto Rico.
Një javë më parë, ai fitoi çmimin “Albumi i Vitit” në “Grammy” 2026 me albumin “Debí Tirar Más Fotos”, duke u bërë albumi i parë plotësisht në spanjisht që fiton këtë çmim. Albumi bashkon traditat folklorike të muzikës së tij vendase, Borinquenit si bomba, plena, salsa dhe música jíbara me stile moderne si reggaeton, trap dhe pop.

Para “SuperBowlit”, ai i kishte mbajtur të fshehta detajet e performancës, ndonëse shumëkush priste një mesazh politik. Ai ka qenë kritik ndaj presidentit amerikan Donald Trump dhe në “Grammy” kishte thënë “ICE out” gjatë marrjes së një çmimi, duke iu referuar agjencisë amerikane të emigracionit.
Turneu i tij i fundit shmangu SHBA-në kontinentale, pasi ai kishte shprehur shqetësime se fansat e tij mund të bëheshin objektiv i autoriteteve të emigracionit.
“Dua të sjell në skenë shumë nga kultura ime. Nuk dua të zbuloj shumë. Do të jetë argëtuese”, pati thënë ai në një konferencë për shtyp.