Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Brenda dasmës së Dua Lipës

Callum Turner dhe Dua Lipa

Callum Turner dhe Dua Lipa

Ylli i muzikës pop, shqiptarja me famë botërore, Dua Lipa, dhe aktori britanik Callum Turner organizuan një dasmë madhështore në Palermo të Sicilisë, duke tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, me qindra të ftuar nga bota e artit, modës dhe muzikës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në një mbrëmje të ngrohtë të së shtunës, qindra mysafirë u mblodhën në Villa Valguarnera, një ndërtesë historike e shekullit XVIII në Palermo, për të festuar martesën e çiftit ka shkruar CNN. Kopshtet monumentale ishin zbukuruar me karrige të dekoruara me fjongo sateni, bajame tradicionale siciliane dhe shami të qëndisura me dorë me mesazhin “Qëndro i/e çmendur me mua përgjithmonë”, në nder të traditave lokale.

Villa Valguarnera

Çdo karrige kishte gjithashtu një flladitëse të punuar me dorë për t’i ndihmuar të ftuarit të përballonin vapën e pasdites. Në mesin e të pranishmëve ishin këngëtarja Charli XCX dhe disenjatorja e njohur e modës, Donatella Versace.

Pas ceremonisë së betimeve, legjenda e muzikës Elton John i dhuroi çiftit një interpretim të veçantë të këngës së tij të famshme “Your Song”. Më pas, të ftuarit shijuan një darkë të përgatitur nga shefa kuzhine me yje Michelin, ndërsa festa vazhdoi me performanca të DJ-ve të njohur Carl Cox, Martin Garrix, David Guetta dhe Peggy Gou. Përjashtimisht, atyre iu lejua të luanin muzikë edhe pas orarit të zakonshëm të mesnatës. Mbrëmja u mbyll me një spektakël të madh fishekzjarrësh që u pa në të gjithë qytetin.

Villa Valguarnera ka një histori të veçantë. Ndërtesa, që sot është në pronësi të shkrimtares dhe princeshës Vittoria Alliata di Villafranca, përkthyese italiane e librit “The Lord of the Rings”, për dekada kishte shërbyer si strehë e mafias, përpara se të restaurohej dhe të rikthehej në lavdinë e saj në vitin 2020.

Më vonë, vila u bë e njohur edhe për publikun televiziv, pasi u shfaq në titrat hyrës të sezonit të dytë të serialit “The White Lotus”, i cili u xhirua në Sicili.

Festimet kishin nisur që të premten. Lipa, 30 vjeçe, e veshur me një fustan të bardhë të brendit “Bottega Veneta”, të punuar me lëkurë të thurur dhe pupla struci, së bashku me Turner, 36 vjeç, organizuan një festë në rrugët e qendrës së Palermos me qindra miq të tyre.

The Sun ka shkruar se Lipa ka veshur edhe dy fustane të tjera të cilat besohet se i ka krijuar “Versace”. Të dy fustanët ishin të bardhë e të gjatë.

Në dasmë gjithashtu kanë vallëzuar e kënduar edhe disa pjesëtar të komunitetit shqiptar, të cilët i kanë argëtuar mysafirët me muzikë live. Këngëtari kosovar, Besnik Qaka, dhe bendi i tij, kanë perfomuar gjatë festës.

Më pas, rreth orës 11:30 të mbrëmjes, një spektakël 10 minutësh ishte rezervuar për fishekzjarrë, para se mysafirët të shkonin brenda Vilës Valguarnera për aftër partyn.

Të pranishëm ishin edhe pjesëtarë të shumtë të sigurisë, i gjithë stafi ka nënshkruar marrëveshje NDA për të mos publikuar asgjë nëpër rrjete sociale dhe i kanë dorëzuar telefonët rreth orës 11 të paradites, të cilët nuk i kanë marrë deri në fund të festës në orët e para të mëngjesit.

Sheshi historik Croce dei Vespri u transformua në një librari të stilit vintage, duke simbolizuar mënyrën se si çifti ishte njohur, ndërsa lexonin të njëjtin roman. Të ftuarit u argëtuan nën tingujt e një bendi marshues me instrumente frymore dhe morën byzylykë të artë me mikroçipa që u mundësonin hyrjen në vende të ndryshme të rezervuara për festimet.

Një nga aktivitetet përfshinte një vizitë private në Galerinë e Artit Modern të Palermos, të cilën çifti e kishte marrë me qira ekskluzivisht për mbrëmjen. Më pas, ata vazhduan festën në Palazzo Valguarnera-Gangi, ku darkuan dhe vallëzuan nën tingujt e një orkestre në sallën e famshme të vallëzimit që u përdor në filmin klasik italian “The Leopard” të vitit 1963.

Festimet në Palermo erdhën vetëm një javë pasi çifti kishte kurorëzuar zyrtarisht dashurinë e tyre me një ceremoni civile në Old Marylebone Town Hall në Londër, më 31 maj.

Mediat lokale në Sicili e përshkruan ngjarjen si dasmën më të rëndësishme që nga martesa e personazhit Michael Corleone në filmin legjendar “The Godfather” të vitit 1972.

Sipas një raporti të institutit kërkimor JFC, të cituar nga agjencia italiane e lajmeve ANSA, festimet e çiftit sollën rreth 268 milionë euro ndikim ekonomik në zonën metropolitane të Palermos.

Megjithatë, jo të gjithë ishin të kënaqur.

Disa protestues dolën në rrugë para festimeve me pankarta ku shkruhej: “Palermo nuk është për të pasurit” dhe “Palermo nuk është me qira”. Shumë prej tyre kishin protestuar edhe kundër dasmës së biznesmenit Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez në Venecia verën e kaluar.

Kryetari i Palermos, Roberto Lagalla, i cili sipas raportimeve drejtoi ceremoninë e së shtunës, mbrojti organizimin e festimeve.

“Ka një përfitim të qartë që lë një ndikim afatgjatë. E kuptoj shqetësimin që mund të shkaktojnë ngjarje të kësaj përmase dhe më vjen keq nëse dikush duhet të përballet me kufizime të përkohshme. Por nuk duhet të harrojmë promovimin që Palermo fiton nga raste të tilla. Vëmendja ndërkombëtare që krijojnë këto ngjarje ndihmon në forcimin e tërheqjes së qytetit dhe gjeneron përfitime ekonomike për shumë njerëz”, ka thënë ai.

Lipa dhe Turner ishin parë në Palermo edhe gjatë vitit 2025, në periudhën kur u fejuan.

Në atë kohë, këngëtarja kishte publikuar në Instagram fotografi me Turner dhe kishte shprehur dashurinë e saj për qytetin.

I vetmi incident i vogël gjatë festimeve luksoze ishte humbja e një palë këpucëve që i përkisnin nënës së Lipës, Anesës, të cilat ende nuk janë gjetur.

Prestigjiozja Vogue, ka shkruar se pas festës madhështore të së shtunës mbrëma, Lipa u shfaq të dielën në një drekë festive pas dasmës.

Fotografitë e publikuara tregojnë këngëtaren të veshur me një fustan të bardhë delikat prej dantelle, duke reflektuar një stil romantik dhe veror. Pamjen e saj të frymëzuar nga atmosfera bregdetare e kompletoi me çantën e veçantë në formë mjellme nga brendi “Chloé” dhe me disa varëse e stoli ari të vendosura njëra mbi tjetrën.

Lipa dukej rrezatuese me veshjen e lehtë dhe elegante, ndërsa nën të dukej se kishte veshur një bikini të bardhë. Pamja e saj përcillte atmosferën e relaksuar të ditëve pas dasmës dhe fillimin e një kapitulli të ri në jetën bashkëshortore.