Showbiz

Brigitte Bardot reagon ndaj raportimeve të rreme për vdekjen e saj

Brigitte Bardot

Brigitte Bardot

Foto: Associated Press

Aktorja e mirënjohur franceze, Brigitte Bardot, përmes një deklarate në rrejte sociale, ka reaguar ndaj raportimeve të rreme për vdekjen e saj.

Ajo ka reaguar ndaj postimit (tashmë të fshirë) të influencueses Aqababe, e cila ka sugjeruar e aktorja ikonike ka vdekur, ka raportuar The Independent

“Nuk e di se kush është idioti që i filloi lajmet e rreme për ‘zhdukjen’ time por dijeni se jam mirë dhe nuk po planifikoj ta lëshoj perden”, ka shkruar 91 vjeçja në llogarinë e saj në rrjetin social X.

Aqababe, emri i vërtetë i të cilës është Aniss Zitouni, në postimin e saj ka pretenduar se ka informacion “ekskluziv” për vdekjen e supozuar të yllit.

“Kufoma e saj është nisur drejt Saint-Paul-de-Jarrat në departamentin 09 (Ariege). Një ikonë ka ndërruar jetë, duke lënë pas një trashëgimi të paharrueshme dhe gjurmë të përjetshme në zemrat e francezëve”, thuhej në postimin Zitounit, që tani është fshirë.

Influencerja madje ka qëndruar pas pretendimit të saj, pasi Bardot lëshoi deklaratën në X, duke sugjeruar se llogaria nuk menaxhohet nga vet aktorja.

“E kam fshirë postimin e lajmit ekskluziv për vdekjen e Brigitte Bardot. Nuk është vet ajo që menaxhon llogarinë në Twitter, do ta shihni kur AFP do të jap lajmin zyrtar për vdekjen e saj”, ka shkruar Zitouni.

Reagimi i aktores vjen pasi javën e kaluar është raportuar që ajo është hospitalizuar.

Media francece, Nice-Matin, ka shkruar se muajin e kaluar ajo është pranuar në spitalin privat, Saint-Jean, në Toulon dhe se i është nënshtruar një operimi. Mediumi gjithashtu ka shkruar se brenda pak ditësh ajo pritet të lirohet nga spitali.

Mendohet se Bardott është dërguar në spital nga shtëpia e saj në Saint-Tropez.

Ky nuk do të ishte i vetmi shqetësim rreth shëndetit të aktores gjatë viteve të fundit, pasi ajo ka pasur problem me frymëmarrje në muajin korrik të vitit 2023.

Atë e patën vizituar mjekët në shtëpinë e saj, pasi kishte përjetuar vështirësi në frymëmarrje.

Bashkëshorti i ikonës, Bernard d’Ormale, në atë kohë, pati thënë për median Var-Matin se ngjarja pati ndodhur rreth orës 9 të mëngjesit.

“Pati vështirësi me frymëmarrjen, por nuk e ka humbur vetëdijen. Le ta quajmë vetëm një moment me vështirësi për të marrë frymë lirshëm”, pati thënë d’Ormale.

Mjekët, Bardottit, i kanë dhënë oksigjen dhe kanë qëndruar ta mbikëqyrin gjendjen për pak kohë, para se të shkonin.

D’Ormale, i cili është martuar me Bardottin në vitin 1992, pati thënë se kjo është diçka e zakonshme që ndodh te të moshuarit.

“Sikur të gjithë të moshuarit, kur arrin një moshë të caktuar nuk mund ta përballosh më të nxehtit. Ndodh, kur je 88 vjeç”, pati thënë ai.