Showbiz

Britney Spears fshin llogarinë e saj në Instagram

Britney Spears

Britney Spears

Foto: Associated Press

Këngëtarja e mirënjohur, Britney Spears, ka fshirë llogarinë e saj personale në rrjetin social Instagram.

Revista People ka raportuar se kjo ka ndodhur pas disa postimeve ku ajo akuzonte ish-burrin e saj, valltarin Kevin Federline, me të cilin ka dy djem, se po përfitonte nga dhimbja e saj.

Spears ka reaguar ashpër ndaj ish-bashkëshortit, pas pretendimeve që ai ka bërë në librin e tij të ri “You Thought You Knew”, i cili u publikua më 21 tetor.

Në disa pjesë nga libri që janë publikuar paraprakisht, Federline, 47 vjeç, flet për martesën e tij me Spearsin 43-vjeçare dhe për raportin e saj me dy djemtë e tyre, Sean Preston, 20 vjeç, dhe Jayden James, 19 vjeç, të lindur gjatë martesës së tyre që zgjati nga viti 2004 deri më 2007.

EntertainmentWeekly ka raportuar se nuk është e qartë nëse ylli personalisht e ka mbyllur llogarinë në Instagram apo ia ka mbyllur gjigandi META, nën pronësinë e të cilës është edhe rrjeti social Facebook.

Në një postim të gjatë në platformën X, Spears e pati akuzuar ish-burrin e saj për përfitim nga dhimbja e saj.

“Të duash dikë me zemër të pastër dhe pa kushte, por gjithmonë të kërcënohesh ose të ndihesh si e keqja, ndërsa të tjerët përfitojnë nga dhimbja jote… Jezus, tregomë që ekziston Zoti dhe që edhe unë mund të dua e të më duan pa u munduar të jem perfekte”, pati shkruar ajo.

Këngëtarja ka thënë se Federline po e “sulmonte” në intervistat e tij për mediat.

“Pse është kaq i zemëruar? Dhe ajo që më tremb është se është bindës. Më shokon kur ndalet pak para se të qajë… a je seriozisht duke bërë shaka?” - ka shkruar tutje ajo.

Duke e krahasuar librin e tij me autobiografinë e saj të vitit 2023, “The Woman in Me”, Spears ka pranuar me ironi: “E di që libri i tij do të shitet shumë më shumë se i imi”.

Artistja ka treguar se ka gjetur mënyra të reja për ta shëruar veten, duke filluar me blerjen e një miniserre.

“Më duhet shërim dhe po filloj nesër… ka kaq shumë gjëra që mund të bësh për t’u shëruar”, ka thënë ajo.

Krijuesja e hititi “Lucky” ka shtuar se do të donte të pinte kafe, të hante drekë ose darkë me aktoren Michelle Pfeiffer dhe me Paris Jackson, vajzën e Michael Jackson.

Ndër të tjera, nëpër postime, ylli ka falënderuar fansat për mbështetjen.

“Faleminderit të gjithëve që po mbështesni zemrën time tani. E di që më kuptoni, dhe po, dhemb”, është shprehur Spears.