Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Britney Spears shkon vullnetarisht në qendër rehabilitimi

Britney Spears

Britney Spears

Foto: Associated Press

Këngëtarja e famshme, Britney Spears, ka shkuar vullnetarisht në një qendër rehabilitimi, pas arrestimit të saj në muajin mars në Kaliforni për drejtim automjeti nën ndikimin e alkoolit.

Sipas një përfaqësuesi të saj për CBS LA, ky vendim vjen më shumë se një muaj pasi Spears u ndalua nga policia më 4 mars në Ventura County, në Kaliforninë Jugore. Autoritetet kishin marrë njoftime për një veturë që po lëvizte me shpejtësi të madhe në autostradën 101. Kur e ndaluan, ata dyshuan se këngëtarja ishte nën ndikim të alkoolit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pas testeve në vendngjarje, ajo u arrestua nën dyshimin për drejtim në gjendje të dehur. Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë publike rezultatet e analizave laboratorike të kryera pas arrestimit.

Spears, 44 vjeç, u lirua nga paraburgimi në orët e para të 5 marsit.

Në një deklaratë të dhënë në atë kohë, përfaqësuesi i saj e cilësoi incidentin si “të pafat” dhe “plotësisht të pajustifikueshëm”.

“Britney do të ndërmarrë hapat e duhur dhe do të respektojë ligjin. Shpresojmë që ky të jetë hapi i parë drejt një ndryshimi të vonuar prej kohësh që i nevojitet në jetën e saj. Shpresojmë që ajo të marrë ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme gjatë kësaj periudhe të vështirë”, thuhet në deklaratë.

Ende nuk dihet nëse vendimi i saj për t’u futur në rehabilitim do të ndikojë në seancën gjyqësore të planifikuar për 4 maj, ndërsa autoritetet në Ventura County nuk kanë dhënë detaje të reja.

Performanca e fundit publike e Spears ishte në vitin 2018, gjatë turneut “Piece of Me”, në një periudhë kur ajo ishte ende nën kujdestarinë ligjore që zgjati 13 vjet. Kjo kujdestari përfundoi në vitin 2021, pas një beteje të gjatë ligjore në një gjykatë në Los Angeles.

Që nga ajo kohë, Spears ka qenë aktive në rrjetet sociale, ku shpesh publikon video duke kërcyer. Në vitin 2023, ajo ka publikuar librin e saj autobiografik “The Woman in Me”.