Coldplay festuan përmbylljen e serisë rekord prej 10 koncertesh në stadiumin “Wembley” me një mbrëmje të jashtëzakonshme, të mbushur me dritë shumëngjyrëshe dhe muzikë magjike, raporton BBC. Koncertet u mbajtën midis 22 gushtit dhe 12 shtatorit.
Grupi interpretoi hite nga të gjitha periudhat e karrierës së tyre 25-vjeçare, duke ndezur atmosferën në stadium, madje surprizuan publikun edhe me një version të këndshëm të këngës së Whitney Houston, “I Wanna Dance With Somebody”.
“Kjo është kënga me të cilën bëj nxehjen në parking”, u shpreh me shaka vokalisti Chris Martin.
Koncerti shënoi mbylljen e fazës më të fundit të turneut “Music Of The Spheres”, i cili që nga viti 2022 ka bërë katër xhiro nëpër botë. Turneu tashmë është shpallur si më i ndjekuri në histori, me mbi 12 milionë bileta të shitura. Në skenë, Martini premtoi se pas një pauze, turneu do të rinisë “diku në Afrikën Jugore, pas rreth 18 muajsh”.
Shfaqja e së premtes u mbajt me vonesë gati një javë, pasi greva e punëtorëve të transportit në Londër detyroi shtyrjen e koncertit.
“E di që kjo ju ka shkaktuar shumë telashe. Në këmbim, do të luajmë një koncert 15 herë më të mirë se çdo koncert tjetër që kemi bërë ndonjëherë. Ky është premtimi ynë”, u tha Martin fansave.